Mbi 100 automjete të konfiskuara në Pejë brenda 10 muajve - përfshihen edhe vetura luksoze

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se gjatë periudhës janar–tetor të këtij viti janë konfiskuar dhe sekuestruar gjithsej 106 automjete, me kërkesë të prokurorëve të shtetit.
Në njoftim thuhet se me kërkesë të prokurorit të shtetit janë konfiskuar me vendim përfundimtar të gjykatës, gjithsej 63 automjete, përfshirë vetura, kamionë, kombi dhe makineri tjera të punës, të cilat janë përdorur apo përfituar përmes veprave penale.
Prokuroria bën të ditur se ndër automjetet e konfiskuara përfshihen edhe vetura luksoze të markave të ndryshme, të cilat “kapin vlerë të madhe”, dhe se Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar është urdhëruar për shitjen e tyre.
Sipas njoftimit, të gjitha mjetet do të derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, 43 automjete të tjera janë sekuestruar me kërkesë të prokurorëve të shtetit, pasi dyshohet se janë përfituar apo shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale.
Në të njëjtën periudhë, 13 automjete janë kthyer pronarëve të tyre.
“Kthimi është bërë pas sekuestrimit, si rezultat i hetimeve të ndërmarra nga ana e prokurorit të shtetit”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/




































