LAJMI I FUNDIT:

Mbeturinat në Tetovë, qytetarët ankohen! (Video)

Mbeturinat në Tetovë, qytetarët ankohen! (Video)

Banorët, por edhe vetë gjendja në terren demantojnë pretendimet e një dite më parë të Komunës së Tetovës se deponia ilegale në lagjen Drenovec është pastruar, në aksionin që ndërmori ndërmarja publike komunale pas transmetimit të kronikës së parë në televizionit Shenja.

Këto pamje ku shihen qartë turma të mëdha të mbeturinave të cilat ditë më parë ishin të shpërndara gjithandej. Banorët janë revoltuar pasi siç shprehen ata, autoritetet komunale kanë mbledhur vetëm një pjesë të vogël të mbeturinave, ndërsa pjesën tjetër vetëm e kanë larguar disa metra më tej, duke e lënë përsëri përballë shtëpive të tyre. Qytetarët e anketuar deklaruar se ndjehen të mashtruar nga administrata e Teuta Arifit.


“Qe si e shihni vet, para 2-3 ditëve erdhën i mblodhën bërlloget, i pastruan dhe më në fund i lanë aty. Më nuk kanë ardhur, nuk e di çfarë qëllimi kanë, a vijnë a nuk vijnë. Komuna e ka për detyrë me ardhë me i pastru. Ne i paguajmë tatimet çka ka nevojë edhe ajo duhet me na ndihmuar neve diçka. Jo vetëm me ardhë me marrë prej nesh e mos me na shpërblyer neve asgjë”, deklaroi një banor.

“Para 2-3 ditëve erdhën ta pastrojnë rrugën, morën një iniciativë dhe e lanë rrugën në gjysmë, pa i ngritur mbeturinat. Kanë dhënë deklarata se e kanë pastruar, por nuk është e vërtetë. Ju lus mos manipuloni me popullin, por punë duhet të punohet”, deklaroi një banor tjetër.

Banorët thonë se gjendja në e rrugës është keqësuar edhe më shumë pas reshjeve të fundit të shiut. Nxënës, të rritur e të moshuar duhet të kalojnë tani nëpër baltë dhe pellgje me ujë. Andaj banorët kërkojnë që urgjentisht të bëhet edhe ndërtimi i kësaj rruge.

“Sa ma shpejtë të bëhet kjo rrugë, të pastrohet, sepse siç e shihni vetë, ja balta, ujërat, shiu, janë mbledhur. Tash ne s’kemi çfarë të bëjmë. Duam të jetojmë më pastër, nuk jemi në fshat por në qytet, qyteti duhet të jetë më i pastër. Mos të jetojmë si në kohën e lashtë, tash gjoja jemi në shekullin XXI, duhet të jetë më pastër”, deklaroi një banor tjetër.

“Të marrën masa këtë rrugën ta shtrojnë, ta rregullojnë. Edhe nëse nuk munden me asfalt të paktën me zallë ta shtrojnë. Edhe ndriçim duhet të vendosin, sepse kemi ngelë, pa drita, pa kushte”, tha nja banor tjetër.

Qytetarët kërkojnë që Komuna të nxjerr në terren edhe inspektor dhe të pengojnë hedhjen e mbeturinave nga qytetar të papërgjegjshëm.

Nëse nuk pastrohen mbeturinat dhe nuk shtrohet rruga, banorët thonë se ekziston edhe rrezik nga përhapja e ndonjë epidemie. /Telegrafi/