MAShTI për ndryshimin e çmimeve të librave: Shqetësimet janë adresuar në Inspektoratin e Tregut

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe koordinatorët e verifikimit në shkolla, është duke monitoruar nga afër procesin e subvencionimit me tekste dhe materiale shkollore për të gjithë nxënësit në Kosovë.
Sipas njoftimit, bazuar në Udhëzimin Administrativ 13/2026, nxënësit nga klasa e 6-të deri në të 9-tën nuk kanë nevojë të blejnë tekste, pasi ato bartën nga gjeneratat e kaluara.
Në lidhje me shqetësimet e ngritura për ndryshimet e çmimeve të shënuara në kopertinat e librave, MAShTI ka sqaruar se ministria nuk ka pasur rol në përcaktimin e tyre, pasi nuk ka pasur proces tenderimi dhe as negocim të çmimeve. Sipas tyre, këto raste tashmë janë adresuar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe në Autoritetin e Konkurrencës.
“Çdo tendencë për manipulim apo përfitim të paligjshëm nga shtëpitë botuese do të trajtohet nga organet përkatëse, duke u ndërmarrë masat e nevojshme në kuadër të legjislacionit në fuqi”, thuhet në reagim.
Ministria ka theksuar se subvencioni për tekstet shkollore mbetet i garantuar për të gjithë nxënësit, përfshirë ata të komuniteteve joshumicë dhe ata me kujdestar ligjor.
Gjithashtu, këtë vit janë shtuar masat e verifikimit për përfituesit, përmes moduleve shtesë ku koordinatorët e shkollave inspektojnë dhe verifikojnë çdo nxënës në institucionin përkatës, me qëllim që të mos ketë abuzime dhe askush të mos mbetet pa tekste.




















































