Historiani Uran Butka rikthen edhe njëherë në kujtesë momentet e ditëve të para të çlirimit të Tiranës.
Ai thekson faktin që në masakrën e Tiranës, Enveri ekzekutoi të gjithë shokët e tij të Liceut.
Terrori komunist gjatë luftës arriti kulmin me masakrat masive në Tiranë nga 28 tetori deri në 16 nëntor 1944. Ushtritë gjermane, që kishin marrë goditjet përfundimtare në frontin e Lindjes dhe të Perëndimit nga Aleatët, po tërhiqeshin të mundura drejt Berlinit. Më 3 tetor 1944 ishte dhënë urdhri nga Vermahti për t’u tërhequr nga Greqia, Shqipëria dhe Maqedonia. (Arkivi i FA, dokumente gjermane).
Më 2.11.1944, ushtritë gjermane u larguan nga Greqia. Në rrugën drejt veriut, Tirana përbënte për ushtrinë gjermane një nyje të rëndësishme të tërheqjes së tyre nga Ballkani. Sipas dokumenteve gjermane, evakuimi nga Tirana u bë me 10 ditë vonesë nga planifikimi, për shkak të bllokimit dhe të luftës nga forcat e brigadave të ushtrisë NÇ. Detyra për të kryer operacionin për çlirimin e Tiranës i ishte ngarkuar Korparmatës së Parë me Dali Ndreun në krye. Në fazën e parë të luftës, nga 28 tetori deri më 11 nëntor, forcat e Divizionit të Parë me komandant Mehmet Shehun, zhvilluan luftime në anën verilindore dhe u futën deri në qendër të qytetit. Në fazën e dytë, 11-17 nëntor, hynë në veprime edhe brigadat e tjera, shkruan Butka.
Gjatë kësaj lufte luftuan dhe dhanë jetën 124 dëshmorë partizanë. Por kjo luftë, që vonoi lirimin e kryeqytetit për 10 ditë, si edhe shkaktoi rënien e këtyre dëshmorëve dhe qindra viktimave të tjera, të cilat mund të shmangeshin, ishte e panevojshme, përderisa ushtria gjermane po tërhiqej sipas një plani të shpallur. Natyrisht që vriteshin partizanët e thjeshtë, bijtë e popullit që luftonin për lirinë dhe asnjë nga udhëheqësit komunistë. Kjo është njëra anë e medaljes, marrja sa më parë dhe me çdo çmim e pushtetit nga ana e tyre.
“Kush merr kryeqytetin, merr pushtetin” – udhëzonte Enver Hoxha.
Ana tjetër ishte ajo e luftës për asgjësimin e “reaksionit”, e kundërshtarit real apo të mundshëm politik, që i shkaktoi Tiranës masakra dhe vrasje të paligjshme, masive e të shëmtuara. Ishte një krim kundër njerëzimit, që vinte nga ideologjia bolshevike, praktikat terroriste të PKSH, që udhëhiqte Luftën NÇ dhe nxitjet e emisarëve të PKJ që donin ta kthenin Shqipërinë në një tokë të djegur dhe t’i vinin shqiptarët kundër shqiptarëve në luftën civile. Kjo vijë terroriste e PKSH është pranuar nga vetë udhëheqësit e saj. Zbatuesi më i vendosur i kësaj vije terroriste ishte padyshim Enver Hoxha, vegla më e bindur e komunistëve jugosllavë në atë kohë dhe personi që e lau me gjakun e shqiptarëve rrugën drejt pushtetit të tij totalitar.
“Terrorizmi në parti, në popull, në ushtri, – dëshmon S.Malëshova, – tregon së pari dobësinë e vijës sonë politike; e dyta, mosbesimi që kemi në popull; e treta, që nuk kemi lidhje me masat. Me terror i zgjidhnim të gjitha. Nuk u çudita kur më thanë se sa më terrorist të ishte njeriu, aq më komunist ishte. Kështu duken simptomat e degjenerimit nga një parti politike në një bandë kriminelësh”. (AQSH, Fondi 14, D.2/a, v.1944.) “Shumë njerëz janë vrarë pa gjyq e pa faj… Këtë frymë e ka futur Dushan Mugosha. Kështu, sot ushtria duket sikur ka dalë të mbysë popullin. Partizanët vrasin vetë, pa i vënë fare njerëzit përpara gjyqit” – thotë Tuk Jakova. (AQSH, F.14/AP d.2/a v.1944.) Sipas strategjisë së PKSH dhe skenarit të veçantë për Tiranën, dita e çlirimit duhej ta gjente Shqipërinë dhe sidomos kryeqytetin pa ata nacionalistë e intelektualë properëndimorë, pa figurat e njohura të kulturës dhe të arsimit shqiptar, pa ata oficerë patriotë që nuk u bashkuan me Frontin, nëpunësit e ndershëm, pa pronarët, tregtarët e biznesmenët që gjallonin në ekonominë e tregut të shtetit shqiptar, pa ata atdhetarë e demokratë që kishin luftuar dhe aspiruar për një Shqipëri të pavarur, të bashkuar dhe demokratike.
Një nga idhtarët dhe organizatorët më të egër të këtij genocidi, Kristo Themelko, agjent i jugosllavëve me pseudonimin sllav “Shulja”, thotë: “Kjo rruga jonë terroriste ka lindur si vijë… Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’ka fakte, të pushkatohen qysh tani… Veçse me i pastrue gjatë luftës, veçse duhej me i pastrue me mënyrën që të mos merren vesh prej popullit… Janë vrarë edhe ata që janë dorëzuar”. (AQSH, F.14, d. 2/Av.1944.) Natyrisht, ky genocid nuk ishte sporadik, por i organizuar dhe drejtohej nga kryeterroristi Enver Hoxha.
“Kur unë kam biseduar me Enverin, – pohon K.Themelko, – ai më ka këshilluar që kur të hynim në qytet, të spastronim elementët e rrezikshëm. Prandaj, kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata për këta elementë.” (AQSH, F.14 D.2/a, v.1944.) Për masakrat pohon me gojën e vet sekretari i qarkorit të PK të Tiranës, Gogo Nushi, në relacionet e tij drejtuar E. Hoxhës: “Këtë shpirt terrorist e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë.
Me hyrjen e forcave tona janë vrarë 60 vetë. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga ata nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurt se do të kemi edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100”. (AQSH, F.14, d. 2/a v.1944.) Pra, kemi të bëjmë me një genocid me motive politike dhe me përmasa kombëtare. Në Tiranë u vranë pa gjyq dhe pa faj, pabesisht dhe në mesnatë, në grup apo një pas një prapa krahëve, madje edhe në pragjet e shtëpive, në qoshe rrugicash, në breg të lumit, në Sharrë, Priskë e Sauk, pa dhënë asnjë shpjegim, pa lënë asnjë gjurmë, duke i lënë edhe pa varr, figura të njohura nga e gjithë Shqipëria, nga Kosova e Dibra e Madhe e Çamëria, madje edhe shtetas të huaj, në mënyrë që terrori dhe frika të ndihej kudo e të përhapej rrathë-rrathë nga Tirana në të gjitha trevat shqiptare.
Vrasja e parë politike ishte ajo e klerikut të shquar tiranas, Selim Brahja, më 31 gusht 1943, pa u tharë ende boja e Marrëveshjes Kombëtare të Mukjes. Selim Brahja është një nga viktimat e terrorit komunist. E vranë përpara derës së shtëpisë së Zotit, në pragun e Xhamisë. Shtatë vetë të njësitit ndëshkimor të grupit të Pezës, me shalle të kuq në kokë e qëlluan disa herë dhe u zhdukën për t’u shpëtuar pushkëve të shtëpisë së Selim Brahjes. Më 29 tetor 1943, njësiti ndëshkimor i Pezës masakroi barbarisht Besnik Çanon (22 vjeç) dhe Qeramudin Sulo (21 vjeç), dy të rinj intelektualë nacionalistë, pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes, që shkonin në jug të Shqipërisë për të përcjellë mesazhin e kësaj marrëveshjeje kombëtare.
Në njësitin terrorist merrnin pjesë edhe dy shtetas jugosllavë që ishin sjellë në Pezë nga D.Mugosha: Papa Hasani nga Manastiri dhe Leon Katarivasi nga Shkupi, që sipas dokumentit të Arkivit të Shtetit, f.279, d.10, “Personat e mbajtur në dispozicion të Gjyqit të Posaçëm”, kanë marrë pjesë direkte në pushkatimin e B.Çanos dhe Q.Sulos. Po në tetor të këtij viti, M.Shehu pushkatoi pa gjyq në Priskë 13 xhandarë që u dorëzuan në mirëbesim në Brigadën e Parë për të luftuar bashkë me të kundër gjermanëve, ndërmjet tyre: Preng Marku nga Kaçinara, Zef Ndoc Simoni nga Fishta, Preng Lek Shkreli nga Malësia e Shkodrës, Pjetër Shkalleshi nga Kthella dhe kapter Ali Maksuti nga Margëlliçi i Çamërisë, ish-lulishtar i njohur i Tiranës.
Më vonë vranë edhe profesor-doktor Lorenc Rashën, nga Shkodra, njeriun e dijes. Këtë intelektual dhe nacionalist të njohur e pushkatoi pa gjyq, më 12 shtator 1944, toga e pushkatimit e batalionit partizan “Dajti”, buzë përroit të Priskës, në vendin e quajtur Paraspur. Sipari i masakrës masive hapet natën e 28 tetorit 1944, kur forcat komuniste që qëndronin në ilegalitet apo që kishin penetruar ato ditë në Tiranë, në vend që të godisnin pushtuesit gjermanë, futeshin fshehtazi natën nëpër shtëpitë tiranase dhe arrestonin apo pushkatonin qytetarët që ishin shënuar nëpër listat e vdekjes nga krerët e tyre. Kështu ia behën në mesnatë te shtëpia e Ymer Dërhemit dhe arrestuan Akil Sakiqin, Nazmi Uruçin dhe Fahri Dabullën.
“Ju kërkojnë për një sqarim”. Por i pushkatuan po atë natë. Adili, Nazmiu dhe Fahriu, të tre oficerë të njohur të karrierës, atdhetarë të flaktë, shqiptarë të ndershëm e të panjollosur, e kishin kryer së bashku me E. Hoxhën Liceun e Korçës. Terroristi Hoxha i futi shokët e Liceut në listat e vdekjes. I pangopur me vdekjen e tyre, ai i përmend ata me urrejtje patologjike dhe pa asnjë shenjë pendese edhe pas disa dekadash në librat e tij, kur rreket të falsifikojë historinë. “Pak para plenumit më vjen S.Malëshova gjithë ‘alarm’. – Po bëhet shumë terror, – më thotë gjithë zemërim. – Terror? – e pyeta i habitur. – Ku? – Në Tiranë, – më përgjigjet. – Po vriten shumë oficerë të penduar. – Në Tiranë vazhdon lufta e madhe për çlirimin e kryeqytetit, – i thashë. – Kë quan terror ti? Dhe për cilët oficerë më ankohesh?”
Çfarë hipokrizie! Dihet që në plenumin e Beratit (24-27 nëntor 1944) përpara të dërguarit të PKJ, V.Stoiniç, E.Hoxha pranoi tejet i nënshtruar: “Po vriten në Tiranë me dyzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë, të cilët, duke pasur besimin e plotë në drejtësinë dhe në shpalljen tonë, dorëzohen. Një punë e tillë nuk është okazionale, por është tërë toni që i është dhënë punës organizative të partisë dhe të ushtrisë. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit”. (AQSH. Plenumi i Beratit, nëntor 1944.) Një nga ata ushtarakë të zhdukur, jo të dorës së dytë, siç thotë Hoxha, por ushtarakë të kalibrit të lartë, si Rakip Kalenja, nga Mallakastra, i lauruar shkëlqyeshëm në Akademinë Ushtarake të Torinos, dega e xhenjos.
Në nëntor të 1944, pas thirrjes që u ishte drejtuar gjithë ushtarakëve, ai shkoi të bashkohej me forcat partizane të Brigadës së Parë, por u tradhtua nga besëprerët dhe u pushkatua. Nata e 28 tetorit ishte caktuar nga Qarkori i PK për Tiranën si nata e vrasjeve të ushtarakëve të karrierës. Atë natë u pushkatuan: Hamit Greblleshi, nga një familje autoktone tiranase, mësues dhe më vonë, pasi kreu Akademinë Ushtarake në Stamboll, oficer i gjindërmarisë të shtetit shqiptar deri në vitin 1939, kur doli në lirim për arsye shëndetësore. Hamit Greblleshi u arrestua bashkë me oficerët e tjerë që jetonin në Rrugën e Tabakëve, Hasan Dinen nga Maqellara e Peshkopisë, me akademi ushtarake të kryer në Itali, atdhetar, bir atdhetari, Azis Blloshmin nga familja e njohur e Blloshmëve të Bërzeshtës, që kishte kryer studimet ushtarake në Vjenë, Faik Shkupin, shqiptar nga Shkupi, i lauruar për ushtarak në Itali dhe shërbente në Shqipëri, Mehmet Dadon dhe Boris Belevskin, oficerë në ushtrinë shqiptare, Aleks Mavraqi, Selmam Shtjefni, Bajram Cuka e të tjerë që nuk u dihen as varret. Një nga ata dyzina të zhdukur është edhe major Muharrem Liku, bir i devotshëm i Tiranës. I shkolluar në Stamboll dhe i frymëzuar nga rilindësit, sidomos nga i kunati, Halit Bej Bërzeshta, ushtarak i shtetit shqiptar, ai i shërbeu atdheut dhe mbretit me besnikëri.
Ndaj u fut në listat e vdekjes. Po atë natë terroristët arrestuan dhe vranë ushtarakun me gradën kapiten, Anton Fekeçi, lindur në Graz të Austrisë, por që banonte e shërbente në Shqipëri, nga që e ëma, Gjystina, ishte shkodrane nga familja e dëgjuar Bumçi. Antoni ishte një oficer model me formim perëndimor dhe shumë i aftë profesionalisht. Ai ndihmoi në modernizimin e ushtrisë shqiptare. Në mesnatën e 30 tetorit e thirrën në shtëpi dhe e pushkatuan 100 metra larg saj. Pastaj u kthyen përsëri, e nxorën familjen në rrugë, se shtëpia u duhej, ashtu si u duheshin edhe orenditë, makina e shkrimit etj.
Gjenocidi për motive politike vazhdoi me intensitet brenda dhe në rrethinat e Tiranës. Më 3 nëntor 1944, forcat komuniste pushkatuan pa gjyq në Sharrë të Tiranës tre Deliallisët e shquar të Shijakut: Kapllan Deliallisi, deputet i Shijakut në Parlamentin shqiptar dhe i vëllai, Jakup Deliallisi, ish-kryetar i komunës së Shënavlashit dhe të Luzit, të dy bij të një familjeje të madhe. Bashkë me këta martirë, u pushkatua edhe Isuf Allamani, nga familja në zë e Allamanëve të Matit. Ai themeloi Fermën e Xhafzotajt, një ekonomi moderne bujqësore e kapitaliste dhe ishte drejtori i saj, kur u arrestua e u pushkatua pa gjyq, ndonëse nuk ishte përzier fare në çështjet politike. Po në Sharrë u pushkatuan pa gjyq dhe u hodhën mbi njëritjetrin në një përrua pesë viktima të tjera: kapiten Bajram Cuka, Selim Kelmendi, Ndue Pali, Minella Toçi dhe Selaudin Korça.
Selim Kelmendi, nga Vuthaj i Gucisë, i kishte ikur me armë në dorë terrorit serbo-malazez tok me dy vëllezërit e tij, Rustem e Ramë, pjesëtarë të çetës së Azem Galicës, por nuk i shpëtoi dot terrorit të çetnikëve shqiptarë. Selaudin Korça, i biri i patriotit të madh, klerikut, filozofit, publicistit, poetit dhe antikomunistit të njohur Hafiz Ali Korça, që vazhdonte studimet e larta në Itali, por që erdhi në Shqipëri për t’u bërë pre e terrorit komunist. Më 10 nëntor, ra pre e këtij terrori tek Ura e Brrarit oficeri Subi Topulli nga familja e shquar e topullenjve të Gjirokastrës. Vrasësit e masakruan dhe zhdukën çdo gjurmë të tij, duke hapur fjalë se ishte arratisur nga Shqipëria.
Vijmë kështu te nata e 12 nëntorit në Tiranë, që është quajtur edhe “nata e Shën Bartolemeut”. Atë natë u bë masakra më e madhe, një dënim dhe vrasje kolektive pa gjyq e 11 figurave të shquara të kombit e të kulturës shqiptare. Ismail Agë Petrela është një nga figurat madhore të Shqipërisë, që u pushkatua mesnatën e 12 nëntorit. Në çastin e pushkatimit u tha ekzekutorëve: “Qëlloni, burrat një herë vdesin!” Terroristët këtë herë zgjodhën për të masakruar familjen e shquar Kokalari nga Gjirokastra. Pushkatuan natën e 12 nëntorit në skutat e hotel “Bristol”-it Muntaz, Vesim dhe Syrja Kokalarin.
Muntazi dhe Vesimi, pionierë të arsimit kombëtar, themelues të shtëpisë botuese “Mesagjeritë Shqiptare”, që botoi vepra madhore të letërsisë sonë e të huaj, intelektualë të klasit të parë, bashkë me vëllanë e tyre, Hamit Kokalarin, i cili shkroi atëbotë librin e famshëm “Kosova- djep i shqiptarizmit” dhe motrën Musine, shkrimtaren e parë shqiptare, nacionalisten dhe demokraten e shquar, që diktatura më pas e burgosi dhe e internoi gjersa vdiq. Po atë ditë, terroristët komunistë pushkatuan edhe Nebil Çikën, filozofin, publicistin, demokratin e madh. Ai goditi familjet e mëdha që kishin nxjerrë njerëz të shquar, për të ndërprerë traditën, për të tharë burimin, për të venitur e nënshtruar Shqipërinë. Një nga ato, është edhe familja tiranase Lleshi. Në mesnatën e 12 nëntorit, terroristë të armatosur hynë në oborrin e shtëpisë së Lleshëve, ku ishin strehuar demonstrues antifashistë apo ilegalë dhe thirrën emrin e Muharrem Lleshit. Sa u shfaq ai te pragu i derës, një breshëri automatiku e la të vdekur e të mbuluar me gjak.
Familja tjetër e njohur tiranase që u godit ishte ajo Stërmasi, që kishte nxjerrë njerëz të dëgjuar si Xhaferr Stërmasin, flamurtar i Pavarësisë. I biri, Reshati, kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali dhe shërben në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare. Në prill të vitit 1939, në shenjë proteste ndaj pushtimit italian, dha dorëheqjen, sepse nuk donte t’u shërbente fashistëve. Merr pjesë në protestat dhe demonstratat antiitaliane. Si nacionalist i kulluar, merr pjesë qysh në vitin 1942 në Organizatën e Ballit Kombëtar dhe në vitin 1943 u caktua komandant i Rinisë së Ballit të Tiranës, të cilën e udhëhoqi në luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë. Ja pse e vranë Reshat Stërmasin!
Gjahut të tyre nuk i shpëtoi as Rifat Tërshana, nga Dibra e Madhe, oficer rekrutimi që shërbeu me përkushtim në Korçë, Fier dhe Durrës. Ndërkohë, ndihmoi edhe Lëvizjen NÇ. Por, nuk e llogaritën, kur e pushkatuan natën e përgjakshme të 12 nëntorit. Terrori masakroi edhe njerëz të thjeshtë e të patrazuar në politikë. Lluka Xhumari, nga qyteti i Durrësit, kishte kryer në Itali shkollën teknike dhe ishte bërë mjeshtër në profesionin e tij. Njeri me iniciativë private, hapi një punishte të vogël, të cilën e zgjeroi në shoqërinë automobilistike SAKT. E pushkatuan në rrënojat e hotel “Bristol”, sepse ishte njeriu i biznesit, i iniciativës së lirë, i ekonomisë së tregut, investitor i suksesshëm, bamirës, njeriu i së ardhmes. Kështu u mbyll kjo masakër, që përgjaku Tiranën, më tutje edhe masakrave të tjera të përgjakshme në Shqipërinë e Veriut, që i hapën rrugën pushtetit komunist, që përgjaku Shqipërinë dhe kombin për gjysmë shekulli me radhë. /Panorama/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli
Aksident i rëndë në Suharekë, vdes një person
Fundjava e ftohtë, mëngjeset me ngrica
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë