Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.

Për javën e njëzetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Prishtina, Mario Ilievski, i cili ishte figura kryesore e takimit të klubit kryeqytetas kundër FC Llapi, të cilin e fituan me rezultat 4-1.


Ilievski shënoi dy gola në këtë fitore të kryeqytetasve, teksa shtoi edhe një asistim, duke bërë që të vlerësohet maksimalisht nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.

Pasi mori këtë çmim, Ilievski u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës në Superligën e Kosovës.

“Është kënaqësi të zgjidhesh lojtari më i mirë i javës. Kjo është një motiv shtesë për mua, por edhe për tërë ekipin. Pas ndeshjes me Ballkanin erdhëm të mërzitur, por penalltitë janë gjithmonë çështje fati”.

“Prishtina është klubi më i madh në Kosovë dhe një emër shumë i madh në të gjithë rajonin e Ballkanit, andaj do të luftojmë për kreun e tabelës, sidomos tani me trajnerin e ri, me të cilin po i përgatisim ndeshjet shumë mirë”, ka thënë Ilievski për faqen zyrtare të FFK-së. /Telegrafi/


telegrafi sport app