Mariah Carey ngjall shqetësime në festën pas VMA-s, teksa ngatërroi fjalët gjatë performancës

Mariah Carey u bë kryefjalë pas një paraqitjeje të çuditshme në një festë private pas ndarjes së çmimeve MTV Video Music Awards.
Evenimenti u mbajt në klubin ekskluziv The Twenty Two, ku shumë yje festuan me kokteje dhe muzikë.
Këngëtarja 56-vjeçare u ngjit në skenë pranë reperit Busta Rhymes për të kënduar hitin e saj të vitit 2002, I Know What You Want, shkruan DailyMail.

Megjithatë, Carey dukej e shpërqendruar dhe ngatërroi disa herë fjalët, ndërsa në momente të caktuara e kishte të vështirë të ndiqte ritmin.
Ajo madje mbylli sytë duke u përpjekur të përqendrohej, ndërsa Busta e inkurajoi duke thënë: “Mariah, këndo”.

Fansat vërejtën se ajo dukej sikur fliste pa kuptim, por sipas burimeve në vendngjarje, Carey kishte konsumuar alkool gjatë festës dhe thjesht po kalonte mirë.
Sidoqoftë, ajo përsëriti disa herë datën e publikimit të albumit të saj të ri Here for It All, që del më 26 shtator, ndërsa në mes të interpretimit kërkoi edhe muzikë nga producenti Jermaine Dupri.

Pavarësisht momenteve të paqarta, Carey u shfaq me një stil të fuqishëm: një fustan dhe xhaketë lëkure të zezë, çizme me detaje dantelle dhe bizhuteri diamanti.
Para festës, ajo kishte shkëlqyer në skenën e VMA-s me një veshje të artë dhe mori një çmim, duke pozuar edhe me Ariana Grande.
Një burim për The Sun tha se Mariah qëndroi në festë deri pas orës 2 të mëngjesit dhe “ishte qartësisht e dehur, por dukej se po kënaqej”. /Telegrafi/




























































