LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, për një vit, mbi 250 milionë euro nga gjobat

Maqedoni, për një vit, mbi 250 milionë euro nga gjobat
Foto: Arkiv

Edhe përkundër lëvdatave gjatë 8 viteve të Qeverisë së mëparshme të Maqedonisë se është shteti që ka shkallë më të ulët të tatimeve nga vendet e rajonit dhe Evropës, të dhënat e fundit të Odës Ekonomike të Maqedonisë (OEM) tregojnë se nga viti 2008 e deri në fund të vitit 2016, Qeveria e mëparshme ka miratuar 84 tatime të reja për firmat dhe qytetarët. Prej tyre, 18 tatime te reja janë tatime ku hyjnë taksat komunale si dhe lejet për kryerje të veprimtarisë, 41 janë të hyra jo tatimore, ndërsa 25 janë gjoba. Më zbatimin e këtyre tatimeve, në analizën e OEM-së thuhet se firmat dhe qytetarët për çdo vit në Buxhetin e Maqedonisë kanë paguar 20 milionë euro më shumë para.

“Vetëm në vitin 2016, kompanitë dhe qytetarët në buxhetin qendror kanë paguar 251.5 milionë euro në emër të të hyrave jo tatimore apo tatime para fiskale. Krahasuar me vitin 2008, shteti nga të hyrat jo tatimore për 18.2 për qind ka rritur më shumë Buxhetin”, thuhet në analizën e OEM-së. Nëse kësaj shifre i shtohen edhe kompensimet e ndërmarrjeve publike, apo agjencive të ndryshme, atëherë të hyrat tatimore në buxhet janë shumë më të larta dhe nëse do të bënim krahasimin më të hyrat personale apo të hyrat nga tatim-fitimi, atëherë të hyrat tatimore janë dyfish më të larta, thuhet më tej në analizën e OEM-së.

“Përveç këtyre të hyrave jo tatimore, ekzistojnë edhe të hyra tjera jo tatimore që paraqesin ngarkesë fiskale më të madhe për kompanitë. Lista e këtyre tatimeve të reja rritet nga viti në vit”, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë. Analiza e OEM-së ka rezultuar se numri i të hyrave jo tatimore të domosdoshme për kompanitë që paguajnë në llogarinë thesare janë 190 lloje të hyrave jo tatimore, prej të cilave 40 janë taksa që paguhen vetëm njëherë për kryerje të veprimtarisë, 20 janë pagesa për taksat komunale, mbi 40 janë gjoba, 20 janë taksa administrative, mbi 20 janë taksa për shërbime tjera siç janë certifikatat dhe shërbime kadastrave, si dhe mbi 40 të hyra jo tatimore siç janë lejet për kryerje të biznesit, lejet profesionale për dhënien e provimeve apo marrjen e disa licencave për autorizime të caktuara. “Kur kemi parasysh të gjitha këto të hyra jo tatimore, lirisht mund të themi se kemi të bëjmë më ngarkesa efektive të subjekteve afariste. Rritja e numrit të të hyrave jo tatimore është bërë më se evidente viteve të fundit. Prandaj është i domosdoshëm zvogëlimi apo racionalizmi i të hyrave jo tatimore, sepse kjo do të shkonte drejt krijimit të një biznes ambienti të volitshëm në Maqedoni, me çka do të mundësonte zhvillim më të madh të sektorit privat e që njëherësh është sektori që krijon zhvillim më të madh ekonomik në vend”, thonë nga OEM, ndërsa shtojnë se arsyet për rritjen e numrit të të hyrave jo tatimore vitet e fundit në Maqedoni janë të shumta, që në radhe të parë shkojnë për nevojat e institucioneve shtetërore për të siguruar mjete financiare duke mos bërë llogari të detajuara se këto të hyra jo tatimore negativisht ndikojnë në konkurrencën e klimës afariste në Maqedoni.


Ndryshe, nga OEM thonë se analiza ka treguar se numër më i madh i kompanive paguajnë më shumë për të hyrat jo tatimore se sa për tatimet e tjera të obligueshme.

“Sistemi tatimor në Maqedoni ka lënë hapësirë të pacaktuar me ligje në sektorë të ndryshëm, akte nënligjore, vendime lokale, vendime nga këshillat drejtues të ndërmarrjeve publike dhe agjencive, të cilët shumë lehtë vendosin të hyra jo tatimore dhe rëndë kontrollohen nga Ministria e Financave, e cila aspak nuk pasqyrë komplete apo kontroll mbi këtë sistem. Nga këtu edhe mungon transparenca që është karakteristike e proceseve me vendosjen e disa tatimeve të caktuara apo ndryshimet e të njëjtave”, thonë në OEM. Kjo organizatë i kërkon Qeverisë që sistemi i të hyrave tatimore të jetë i rregulluar dhe gjithmonë të jenë nën mbikëqyrje të Ministrisë së Financave, ndërsa shprehen të gatshëm së bashku me kompanitë të kyçen në këtë proces të reformimit të sistemi të të hyrave tatimore dhe të japin kontributin e tyre në të gjitha aktivitetet.

“Është më se i domosdoshëm reformimi i sistemit të të hyrave publike, gjegjësisht rregullativave nënligjore të cilat janë të lidhura me të hyrat jo tatimore. Me këtë referomë do të vendoseshin procedura për miratimin e tyre me qëllim të sigurimit të transparencës për një kohë të gjatë. E gjithë kjo do të arrihej me miratimin e një Ligji të posaçëm për të hyrat dhe daljet publike. Me këtë ligj do të përfshiheshin të gjitha institucionet tatimore, të cilët vendimet e tyre do t’i miratonin në bazë të rasteve konkrete në kuadër të ligjeve qartë të definuara”, thonë nga OEM-ja. /koha.mk/