LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, fermerët kërkojnë më shumë rregull në pagesën e subvencioneve

Maqedoni, fermerët kërkojnë më shumë rregull në pagesën e subvencioneve

Fermerët sërish kanë përsëritur kërkesën e viteve të kaluara për kalendar të saktë të ndarjes së subvencioneve. Kërkohet edhe më shumë mirëkuptim dhe rritje e komunikimit me Agjencinë Pagesore që paguan subvencionet si dhe vendosjen e komisionit të shkallës së dytë brenda këtij institucioni që bujqit të mos enden nëpër gjykata për gabime të caktuara që ndodhin lidhur me procedurat e subvencioneve, shkruan gazeta KOHA.

Këto vërejtje u parashtruan para disa ditësh në debatin e tretë me radhë kushtuar Propozim programit për zhvillimin e bujqësisë 2018-2022.

Bujqit kanë kërkuar edhe stimulime më të mëdha për krijimin e kooperativave bujqësore, uljen TVSH-së për ilaçet e kafshëve dhe shërbimet e veterinarëve, masa për grumbullimin intervenues të prodhimeve bujqësore me qëllim të mbrojtjes së bujqve në rast të problemeve me plasmanin.


Problemi me plasmanin pritet të zbutet përmes fondit me vlerën prej së paku 6 milion euro, në periudhat kur shfaqen telashet e shitjes së prodhimeve të caktuara bujqësore.

Kërkohet edhe rregullimi i procedurave administrative me rregullore të veçanta, miratimi i kalendarit të subvencionimit që ato të paguhen në kohën kur më së shumti ju nevojiten bujqve, përmirësimi i komunikimit të bujqve me Agjencinë pagesore që është kompetente për pagesën e subvencioneve, ndërsa kërkohet që të ketë komision të shkallës së dytë që do të shqyrtojë ankesat e bujqve dhe jo që ata të enden nëpër gjyqe për lëshime të caktuara.

Në ndërkohë nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë thonë se subvencionet dhe mënyrat e tjera të përkrahjes duhet bazohen në nevojat e vërteta të bujqve, duke mundësuar zbutjen e dialogut negativ, ose dialogut mos-ekzistues midis bujqve dhe grumbulluesve.

Nevojitet edhe pagesa me kohë e subvencioneve dhe dëmeve nga ngricat pranverore në pemëtari dhe vreshtari me qëllim që të ruhet dhe zhvillohet bujqësia.

“Të gjithë ne dhe sidomos bujqit, duhet të punojmë në tejkalimin e barrierave tradicionale që pengojnë zhvillimin e grave dhe të rinjve në mjediset rurale. Duhet edhe publikisht të flitet se vendbanimet tona rurale ballafaqohen me probleme të mëdha, qasje të kufizuar ndaj institucioneve kompetente, institucioneve arsimore dhe shëndetësore dhe një infrastrukturë jo edhe aq të mirë. E gjithë kjo rezulton me nxitjen e mërgimit, ose të rinjtë vite me radhë ikin nga fshati në qytete, ndërsa tani edhe në shtetet e tjera duke kërkuar ekzistencë më të mirë”, thotë kryetarja e Federatës së Fermerëve të Maqedonisë, Vaska Mojsovska.

Sipas saj, viti i kaluar ishte një ndër më të vështirët për bujqit për shkak se dëmet nga ndryshimet klimatike ishin shumë të mëdha, ndërsa sërish çmimet e ulëta grumbulluese ose plasmani ishte problem i madh për fermerët për shkak të problemeve me prodhimtarinë jo të kontraktuar.

Në ndërkohë, prej muajit qershor pritet që më në fund të rikthehet tarifa e naftës së gjelbër për bujqit, që ata si masë e kërkojnë vite me radhë. Kjo do të thotë se fermerët do të paguajnë dizelin për 50 për qind më të lirë për traktorët e tyre. Planifikohet që çdo bujk të fitojë kartelë elektronike nga ana e Agjencisë për Përkrahje Financiare apo institucionit që ndan subvencionet, me të cilën do të mund të blejë sasi të caktuar në pompat e benzinës.

Për mbështetjen e kësaj masa nga buxheti i shteti për këtë vit ndahen 5 milion euro, ndërsa bujqit në varësi prej kulturës që e mbjellin do të fitojnë më së shumti nga 4 mijë denarë për hektar. Shuma do të përcaktohet në bazë të mjeteve të harxhuara për prodhimtari bujqësore ose të grupeve të prodhimeve të shfrytëzuara për përpunimin e tokës përgjatë një viti prodhues. Ndryshimet e Ligjit për bujqësi dhe zhvillim rural, përmes të cilëve do të vendoset masa e bashkëfinancimit për furnizim me karburant për mekanizimin bujqësor, pritet të kalojnë në mbledhjen qeveritare deri në fund të këtij muaji dhe pastaj të zhvendoset në procedurë kuvendore. Pas miratimit në Kuvend, bujqit do të mund të konkurrojnë për këtë masë deri në përfundimin e afatit për programet për mbështetje të bujqësisë, apo deri në 15 maj të vitit 2018, thonë nga Ministria e Bujqësisë.

Sivjet do të fillojnë të zbatohen dhe ndryshimet ligjore sipas të cilave grumbulluesit do të paguajnë tatimin personal për bujqit prej të cilëve kanë grumbulluar prodhime bujqësore. Shuma pritet të kalkulohet në çmim dhe do të vlejë vetëm për fermerët që bujqësinë e kanë veprimtari themelore dhe jo dytësore. Bujqit me të ardhura deri në një milion denarë, në fillim të vitit do të fitojnë kthim të tatimit që paraprakisht ju është ndalur në 12 muajt paraprak. Pritet që rreth 65 mijë bujq në fillim të çdo viti të fitojnë në llogarinë e tyre shumën e barabartë me tatimin që iu kanë ndaluar paraprakisht.

Në ndërkohë, më shumë shoqata të bujqve janë ankuar se një dispozitë e tillë ligjore nuk është saktësuar sa duhet, dhe mund të nxisë probleme shtesë gjatë grumbullimit të prodhimeve bujqësore si dhe të stimulojë zhvillimin e ekonomisë informale.

Ministria e Bujqësisë gjithashtu propozon që të mos vlejë më kushti për pagesën e borxheve të mbetura për fermerët që nuk janë nga fusha e bujqësisë me qëllim që të mos humbin të drejtën e subvencioneve Kërkesa pritet të fitojë dritë jeshile nga qeveria dhe parlamenti.

Në ndryshimet e propozuara parashikohet që të shlyhen borxhet që janë në kompetencën e Drejtorisë për të Ardhura Publike, ndërsa ndërlidhen me shfrytëzimin e fondeve të jashtme. Nëse miratohet ky propozim, atëherë fermerët në të ardhmen do ti fitojnë subvencionet pa dallim borxheve ndaj organeve tatimore. Për pagesë me kohë mbeten obligimet për qiranë e tokës shtetërore, shfrytëzimin e kullosave dhe ujit për vaditje si dhe koncesioneve për gjueti. Për këto pagesa ekziston e drejta e Agjencisë Pagesore që të shlyen borxhet me subvencionet e miratuara. (koha.mk)

Në trend Lajme

Më shumë
Zogaj flet për vijat e kuqe të LDK-së pas zgjedhjeve: Pa Lumirin kryeministër nuk do të jemi në qeveri

Zogaj flet për vijat e kuqe të LDK-së pas zgjedhjeve: Pa Lumirin kryeministër nuk do të jemi në qeveri

Politikë
Arrestohet dhe suspendohet një zyrtar policor pasi shkaktoi aksident me fatalitet

Arrestohet dhe suspendohet një zyrtar policor pasi shkaktoi aksident me fatalitet

Lajme
Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me siguri drejtor ka qenë Kadri Veseli

Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me siguri drejtor ka qenë Kadri Veseli

Drejtësi
Ushtarë të KFOR-it patrullojnë në Leposaviq

Ushtarë të KFOR-it patrullojnë në Leposaviq

Siguri
Dy persona dënohen me shtatë vjet burgim dhe 1500 euro gjobë për vjedhje në Teqenë e Madhe në Gjakovë

Dy persona dënohen me shtatë vjet burgim dhe 1500 euro gjobë për vjedhje në Teqenë e Madhe në Gjakovë

Drejtësi
Bajrami i reagon Kelmendit: Pyetni Jusuf Thaçin dhe Arben Vitinë për projektin e digjitalizimit

Bajrami i reagon Kelmendit: Pyetni Jusuf Thaçin dhe Arben Vitinë për projektin e digjitalizimit

Lajme
Kalo në kategori