Manchester United drejt stadiumit të ri me 100 mijë ulëse - projekti kushton miliarda euro

Manchester United është i bindur se mund të arrijë marrëveshje kyçe që do të lejojnë nisjen e projektit madhor për ndërtimin e një stadiumi të ri me 100,000 vende, pa u larguar nga vendndodhja ikonike e "Old Traffordit".
Sipas Goal.com, klubi tashmë ka hedhur themelet për realizimin e këtij vizioni gjigant.
Në mars të vitit 2025, bashkëpronari Sir Jim Ratcliffe prezantoi idenë për të shndërruar "Old Traffordin" në “Wembley-n e Veriut” – një projekt me vlerë rreth 2 miliardë paund (2.3 miliardë euro), që pritet të përfundojë deri në vitin 2030.

Planet e ndërtimit
Edhe pse afati duket ambicioz, drejtuesit e klubit po bëjnë përparim. Një element vendimtar është blerja e tokës shtesë rreth stadiumit aktual, pasi Man United nuk ka hapësirë të mjaftueshme për ta zhvilluar projektin pa prekur stadiumin ekzistues.
Një nga pengesat kryesore është depoja hekurudhore pranë "Old Traffordit", e cila është në pronësi të kompanisë Freightliner. Pa blerjen e saj, projekti nuk mund të fillojë.
Kryetari i bashkisë së Mançesterit, Andy Burnham, ka deklaruar se mund të përdoren masa të blerjes së detyrueshme nëse negociatat me Freightliner nuk japin rezultat. Kjo kompani e vlerëson pronën e saj në rreth 403 milionë euro.

Bisedime në zhvillim
Sipas procesverbalit të fundit të forumit të tifozëve, bisedimet mes klubit dhe Freightliner po ecin në drejtim pozitiv.
“Ndërsa Manchester United zotëron një pjesë të konsiderueshme të tokës përreth "Old Traffordit", ajo nuk është e gjitha e lidhur në një bllok të vetëm. Për të akomoduar shkallën e stadiumit të ri, përfshirë mbulesën, dhe për të shmangur ndërprerjen e stadiumit ekzistues gjatë ndërtimit, po punojmë për të siguruar tokë shtesë”, tha një zëdhënës i klubit.
Ai shtoi se puna e projektimit është pezulluar përkohësisht, derisa të ketë qartësi të plotë mbi blerjen e tokës dhe kërkesat e tifozëve.
“Ne mbetemi të entuziazmuar nga vizioni i përcaktuar nga Foster + Partners, për një stadium modern që do të jetë zemra e rigjenerimit të zonës së Old Traffordit”, u shpreh më tej zëdhënësi.

Bashkëpunimi me autoritetet dhe synimet afatgjata
Për realizimin e këtij projekti gjigant, Man United do të kërkojë mbështetje nga qeveria lokale dhe ajo kombëtare, pasi klubi nuk mund ta financojë plotësisht në mënyrë të pavarur.
Sipas planit, stadiumi i ri nuk do të jetë vetëm një shtëpi e re për Djajtë e Kuq, por edhe një qendër e madhe komunitare, që do të sjellë përfitime ekonomike për rajonin e Traffordit përtej ditëve të ndeshjeve.
Manchester United shpreson që projekti të përfundojë në kohë për të pritur Kupën e Botës për Femra në vitin 2035. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com



































