Man Utd i paraqet ankesë FIFA-s pas barazimit ndaj Bournemouth

Manchester United beson se është “ndëshkuar padrejtësisht” përpara përballjes së tyre në Ligën Premier kundër Bournemouth dhe, sipas raportimeve, e ka përshkallëzuar çështjen deri te FIFA.
United dhe Bournemouth dhuruan një ndeshje spektakolare që përfundoi 4-4 në ‘Old Trafford’ të hënën në mbrëmje, ku dobësitë defanzive të të dyja skuadrave u vunë në pah gjatë gjithë takimit.
Ruben Amorim ishte pa tre mbrojtës për këtë ndeshje, përfshirë Harry Maguire dhe Matthijs De Ligt, ndërsa Noussair Mazraoui mungoi pasi kërkesa e klubit për ta pasur në dispozicion u refuzua.
FIFA kishte njoftuar më herët gjatë këtij muaji se afati për lirimin e lojtarëve drejt përfaqësueseve të tyre për Kupën e Kombeve të Afrikës do të shtyhej deri më 15 dhjetor, e njëjta datë kur United u përball me Bournemouth.
Pas bisedimeve konstruktive me Kamerunin dhe Bregun e Fildishtë, United arriti marrëveshje që lejuan Bryan Mbeumo dhe Amad të aktivizoheshin të hënën.

Megjithatë, vendi organizator i AFCON-it, Maroku, refuzoi të njëjtën kërkesë për Mazraouin përpara ndeshjes hapëse të turneut kundër Komoreve të dielën, pavarësisht se mbrojtësi ishte stërvitur me skuadrën e United në ditët paraprake.
Maroku kërkoi që Mazraoui t’i bashkohej përfaqësueses që në fillim të javës. Nga ana tjetër, United është i zhgënjyer nga ky zhvillim dhe e ka referuar çështjen te FIFA, duke kërkuar “mbështetje dhe udhëzim” nga organi drejtues, sipas The Independent.
Sipas BBC, klubi mendon se Maroku i dha përparësi një seance stërvitore të kombëtares ndaj një ndeshjeje të rëndësishme të kampionatit.
Për më tepër, raportohet se United është gjithashtu i pakënaqur sepse përballja me Bournemouth u zhvendos për të hënën, ndërkohë që klubet që luajtën gjatë fundjavës i kishin lojtarët afrikanë në dispozicion për përzgjedhje./Telegrafi/















































