LAJMI I FUNDIT:

Mamografia – zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit. Diagnostikimi dhe trajtimi

Mamografia – zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit. Diagnostikimi dhe trajtimi

Dr. Lendita Kamberi,
Specialiste e radiologjisë

Për të diskutuar për mamografinë, është e rëndësishme që fillimisht të kuptojmë se kanceri i gjirit mund t’i ndodhë çdo gruaje dhe që secila prej nesh është në rrezik. Lajmi i mirë është që ky kancer është plotësisht i shërueshëm nëse zbulohet në kohë.


Çfarë do të thotë “të zbulosh kancerin në kohë”?

Do të thotë që të zbulohet në fazën kur është më i vogël se 1 cm, kur nuk mund të preket apo kur ende nuk ka kaluar në fazë agresive, domethënë derisa ende nuk ka arritur në metastazë.

Ka disa mënyra për ta zbuluar kancerin e gjirit në kohë, mirëpo edhe Organizata Botërore Shëndetësore zyrtarisht e ka emëruar mamografinë si të vetmen metodë aktualisht ekzistuese që mund ta bëjë këtë. Me këtë metodë mund të zbulohen kancinome të vogla të cilat nuk mund të preken, por edhe të ashtuquajturit karcinomi “in situ”, ndër të cilat, në shumicën e rasteve, më vonë mund të shndërrohen në kancer.

Përmes këtij trajtimi mund të reduktohen pasojat dhe te rritet kualiteti i jetës.

Simptomat dhe faktorët e rrezikut

Karcinomet e gjirit shfaqen shpesh te femrat të cilat menstruacionet e para i kanë pasur para moshës 12-vjeçare dhe të cilat kanë hyrë në menopauzë para moshës 50-vjeçare. Lindja e parë pas moshë 30-vjeçare gjithashtu bën pjesë ndër faktorët e rrezikut, ndërsa ai është i theksuar edhe te femrat të cilat fare nuk kanë lindur. Rast i shpeshtë te pacientet me strukturën e çrregulluar të qelizave dhe te ato të cilat tashmë kanë operuar njërin gji. Gjenetika ka një rol shumë të rëndësishëm në shfaqjen e këtij karcinomi.

Simptomat që mund të bëjnë të dyshosh për kancerin e gjirit janë prania e një gunge që mund të jetë e ndjeshme në prekje, rrjedhja nga thithka që zakonisht është e përgjakshme, thithka e futur brenda që nuk mund të tërhiqet, skuqja, ënjtja, puçrra dhe plagë në lëkurë të gjirit.

Kur bëhet mamografia?

Një mamografi mund të shpëtojë jetën tuaj! Nëse nuk keni simptoma nuk do të thotë që nuk jeni të prekur nga kanceri i gjirit.

Mamografinë mund ta bëjnë të gjitha femrat pas moshës 40-vjeçare në bazë të indikacioneve të sipërpërmendura te klinicisti dhe radiologu. Mundësia e mamografisë që të zbulojë kancerin e gjirit varet nga dendësia e indeve të gjirit, lloji i tumorit dhe përvoja e radiologut. Mamogramet më vështirë do të zbulojnë karcinomin te femrat te të cilat është dominues lloji i gjëndrave të gjirit. Mamografia mund të bëhet edhe te femrat më të reja se 40 vjeç, mirëpo nëse ekziston dyshimi i bazuar klinik për ekzistimin e procesit patologjik të gjirit.

Shoqata Amerikane e Kancerit rekomandon që gratë të fillojnë mamografinë në moshën 45 vjeç dhe ta vazhdojnë atë çdo një vit deri në moshën 55 vjeç, më pas, sugjerohet që mamografia të bëhet çdo 2 vjet deri në moshën 75 vjeç. Shumë ekspertë sugjerojnë të njëjtën gjë, por që mamografia të nisë që në moshën 40 vjeçare.

Si të përgatitemi për kontroll?

Nuk ka përgatitje të veçanta për këtë kontroll. Këshillohet mbajtje e rregullt e higjienës dhe heqje e qimeve nga zona e sqetullave para se të shkoni për kontroll.

Para bërjes së mamografisë nuk duhet të përdorni kremra, losione, deodorantë apo pudër. Këto mjete mund të shihen në imazh dhe të imitojnë ndryshimet patologjike, gjë që e bën të vështirë interpretimin e gjetjeve.

Para se të filloni të bëni këtë ekzaminim, patjetër tregoni teknikut të rëntgenit për vështirësitë që i keni, si edhe për ndryshime të caktuara në lëkurë, por edhe për implante nëse keni.

Rrobat zhvishen deri në bel, hiqen bizhuteritë, merret pozicioni i qëndrimit në këmbë.

Me mamografi kontrollohet secili gji në dy projeksione (CC dhe MLO). Tekniku i rëntgenit vendos gjirin midis dy pllakave të cilat lëvizin dhe bëjnë presion në gji në kohëzgjatje prej 5 deri në 10 sekonda. Ekzaminimi mund të jetë i pakëndshëm, por nuk është i dhimbshëm.

Me presionin më të madh në gji ulet doza e rrezatimit dhe sigurohet imazh më cilësor. Presioni zgjat shumë pak, kështu që shumica e femrave nuk ndiejnë kurrfarë dhimbjeje, por mund të ndodhë që të ndiejnë një dhimbje të butë. Imazhi i gjirit bëhet në dy plane.

Pas kryerjes së imazhit pacientja është e gatshme për aktivitete ditore.

Mamografia mund të bëhet në cilëndo periudhë të ciklit menstrual, mirëpo për shkak të ndjeshmërisë së gjirit në fazën paramenstruale, rekomandohet që të bëhet në periudhën prej 5 – 12 ditësh të ciklit menstrual (duke llogaritur nga dita e parë e gjakrrjedhjes menstruale).

Doza e rrezatimit me të cilën secila paciente ekspozohet gjatë kohës së imazherisë është e pranueshme. Kjo mund të krahasohet me rrezatimin e ulët nga hapësira, nga toka dhe me rrezatimin natyral nga trupi i çdo njeriu për një periudhë dymujore, ndaj të cilit ekspozohemi të gjithë.

Hulumtimet botërore tregojnë që femrat me bërjen e mamografisë kanë më shumë dobi sesa dëm.

Çfarë mund të tregojë mamografia?

Mamografia mund të tregojë kalcifikatet të cilat janë pjesë e procesit beninj apo malinj. Radiologu duhet të komentojë pamjen e tij dhe nëse ka edhe shkallën më të vogël të dyshimit se mund të jetë pjesë e ndonjë procesi malinj, do t’ju drejtojë në një biopsi. Me këtë metodë mund të vërehen hije të ndryshme, zona asimetrike të indeve, çrregullime në strukturën e gjirit, si edhe prani e gungave të rritura limfatike në gropën e sqetullës.

Çfarë rezultati mund të pritet? Çfarë domethënë BIRADS?

Standardizimi i raporteve mamografike nënkupton që ne e karakterizojmë çdo gjetje me shkronja dhe me një numër, një lloj kodi, BIRADS 0-5, ku ka një koment tekstual që e shpjegon.

Po nëse radiologu vëren një ndryshim të dyshimtë?

Në rast të gjetjes e cila zgjon një dyshim në ekzistimin e procesit patologjik në gji, do të bëjë marrjen e indit nga ndryshimet e dyshimta dhe/ose do të drejtojë në kontroll te kirurgu onkologjik. Të gjitha ndryshimet në gji duhen marrë seriozisht dhe duhen kontrolluar.

Çfarë është më e rëndësishme te mamografia?

Aparatet e gjeneratave më të reja, mamografët digjitalë, për secilën paciente rregullon dozën e rrezatimit në minimum. Imazhet e marra në aparate të këtilla janë rezolucione të larta, gjë që mundësojnë zbulimin e ndryshimeve minimale në gji. Në 10 për qind të rasteve është i mundshëm që karcinomi i gjirit të mos shfaqet mamografisht. Si metodë plotësuese përdoret ultrazëri i gjirit, por në disa raste edhe rezonanca magnetike.

Saktësia e gjetjeve mamografike varet nga disa faktorë:

▪ karakteristikat teknike të aparatit (me mamografi digjitale marrim imazhe të rezolucionit të lartë që mundësojnë zbulimin e ndryshimeve minimale në gjinj)

▪ dijet dhe përvojat e radiologut – mosha dhe dendësia e indit të gjirit (gjinjtë e femrave të reja përmbajnë më shumë gjëndra qumështore dhe ligamente të cilat mund të fshehin hijet e kancerit.

▪ me kalimin e viteve zvogëlohet sasia e gjëndrave qumështore dhe rritet masa e indeve gjë që lehtëson interpretimin e gjetjeve).

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori