Malisheva do të përballet nesër ( e enjte) me Víkingur Reykjavik në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Ligës së Konferencës, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:15.

Para këtij dueli, trajneri Bekim Isufi dhe kapiteni Dreni Kryeziu janë shprehur të vendosur dhe të motivuar për të dhënë maksimumin në fushë.


“Jemi shumë të motivuar dhe të përgatitur për këtë përballje të rëndësishme ndaj Víkingur Reykjavík. Kemi punuar intensivisht gjatë fazës përgatitore, duke analizuar me kujdes kundërshtarin dhe duke u fokusuar në forcimin e lojës sonë kolektive”, deklaroi fillimisht trajneri Isufi në konferencën për shtyp.

Ai shtoi se ekipi është në gjendje të mirë fizike dhe mendore, duke shtuar se djemtë janë të vendosur të japin gjithçka në fushë.

“Besoj se do të japim maksimumin për të përfaqësuar Malishevën dhe futbollin kosovar në mënyrën më dinjitoze. Atmosfera në skuadër është shumë pozitive dhe djemtë janë të vendosur të japin gjithçka në fushë”, nënvizoi Isufi.

Ndërkohë, kapiteni Dreni Kryeziu theksoi cilësitë e kundërshtarit, por edhe besimin e tij te skuadra.

“Na pret një përballje e vështirë me një ekip shumë cilësor. Vikingur është fizikisht i fortë dhe luan futboll ofanziv, por ne jemi përgatitur maksimalisht për të qenë në nivelin e duhur”, u shpreh Kryeziu.

Malisheva do të kërkojë ta kalojë raundin kësaj radhe, pasi një gjë të tillë nuk arriti ta bëjë vitin e shkuar. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app