LAJMI I FUNDIT:

Maksuti: PSP nuk ka kompetencë ligjore për rastin “Monstra”

Maksuti: PSP nuk ka kompetencë ligjore për rastin “Monstra”

Mandati i PSP-së skadoi, ndërsa morën fund edhe “zotimet” për zbardhjen e rastit “Monstra”. Profesori universitar Mersim Maksuti, vlerëson se tani që gjyqësia ka filluar të lirohet nga kthetrat e pushtetit të kaluar, mund të pritet edhe bashkëpunim mes Prokurorisë Themelore Publike dhe asaj Speciale.

Kjo sipas Maksutit, pritet të rezultojë me një epilog të denjë për rastin Monstra.


“Prokuroria për Krim të Organizuar në Shkup në bazë të vullnetit të vetë pozitiv për ta zbardhur deri në fund rastin “Monstra” do të duhet ta kalonte rastin te Prokuroria Speciale dhe Prokuroria Speciale pastaj ta përfaqësojë lëndën në Gjyqin Suprem, e cila pritet të procesuohet deri në fund. Kjo është e vetmja mundësi që mund dhe pritet të ndodhë. Përderisa as Ligji i Prokurorisë Speciale nuk e përcakton situatën qartë se si duhet në këto raste dhe as Këshilli i Prokurorëve i Republikës së Maqedonisë nuk e ka të përcaktuar me ligj se si duhet të veprojë në këtë situatë”, tha për Alsat-M, profesori universitar Mersim Maksuti.

Familjarët një ditë më parë akuzuan PSP-në për drejtësi selektive. Nga ana tjetër, nga Prokuroria Themelore Publike për krim të organizuar dhe korrupsion thanë se Prokuroria Speciale nuk e ka kërkuar në kompetencë të saj këtë rast.