Aktivistët nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, të premten, kanë realizuar një aksion simbolik në hyrjen e ndërtesës së Kuvendit të Komunës së Prizrenit. Sipas tyre, “Shtëpia e Bardhë” në Prizren është shndërruar në zonë të krimit.

“Sot, aktivistë të Lëvizja VETËVENDOSJE! në  Prizren zhvilluan një aksion simbolik para objektit të komunës – të njohur ndryshe si “Shtëpia e Bardhë” – duke e rrethuar atë me shirit “Zonë e Krimit”. Ky veprim simbolik vjen pas ndalimit të zyrtares së urbanizmit, me aktvendim të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe lëshim të lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjin”, thuhet në njoftimin e LVV-së.


Degradimi urbanistik i Prizrenit, sipas këtij subjekti politik, nuk është pasojë e një apo dy shërbyesve civilë.

“Koka dhe adresa e vërtetë e krimit ndërtimor ndodhen në Shtëpinë e Bardhë, tandemi Totaj-Elshani. Ky aksion vjen si reagim qytetar ndaj kapjes së institucioneve komunale, ku të zgjedhurit dhe emëruarit publikë po i përdorin funksionet për pasurim familjar e klientelist”, thuhet në njoftim.

Qendra e LVV-së në Prizren ka theksuar se kërkon hetim të plotë, përgjegjësi institucionale dhe dorëheqje të menjëhershme të personave të përfshirë, duke shtuar se “Prizreni meriton zhvillim, jo degradim”. /Telegrafi/