“Ukrainasit janë të gatshëm të japin jetën për perspektivën evropiane. Ne duam që ata të jetojnë me ne ëndrrën evropiane”. Këto ishin fjalët përmbyllëse të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në prezantimin e Opinionit të Komisionit Evropian për aplikimin e Ukrainës për anëtarësim në BE. Fjalë të cilat më kujtuan thirrjet buçitëse të dhjetorit 1990, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”; mijëra shqiptarë që u përndoqën e dergjen burgjeve sepse besonin tek idealet e lirisë të promovuar nga Evropa; mijëra “agjentë të ndryshimit” që e kanë lënë Shqipërinë me kohë dhe e kanë gjetur “Evropën” e tyre.
Komisioni Evropian rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, duke i njohur atyre meritën në procesin e reformave. Ndërkohë që Komisioni Evropian nuk mbështeti aplikimin e Gjeorgjisë, për shkak të trajektores politike shqetësuese në raport me procesin e demokratizimit, duke nënkuptuar atë që dihet prej kohësh se “procesi i zgjerimit është një proces politik i veshur me rroba teknike”. Një proces, të cilin duhet ta meritosh. Vlerësimet e Komisionit Evropian duhet të miratohen njëzëri nga shtetet anëtare të BE-së, të cilat pritet ta thonë fjalën e tyre në takimin e 23-24 qershorit.
Partneriteti me shtetet e lindjes, si një dimension specifik i politikës së fqinjësisë së BE-së u shpall në vitin 2009, me qëllim forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis Bashkimit Evropian nga njëra anë, dhe gjashtë shteteve partnere të Evropës Lindore dhe Kaukazit Jugor nga ana tjetër: Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Gjeorgji, Moldavi dhe Ukrainë. Pakkush ka menduar se keto shtete nga ‘partnere’ do të mund të ktheheshin një ditë në ‘anëtare’ të BE-së. Me kalimin e viteve, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia dëshmuan vokacion evropian duke formësuar një “trio” brenda suazës së Partneritetit Lindor me BE-në.
Duhet thënë se Komisioni Evropian bëri një hap përpara në raport me konkluzionet e BE të takimit të Versajës, të 10-11 marsit 2022. Bashkë me rekomandimin e statusit kandidat, Komisioni njohu edhe perspektivën evropiane të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Ndërkohë që krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së në takimin e Versajës u kufizuan në njohjen e aspiratës evropiane vetëm për Ukrainën, duke i kërkuar nga ana tjetër Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit (avis) mbi aplikimin për anëtarësim në BE të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.
Me gjasë, shtetet anëtare të BE-së do t’i japin Ukrainës statusin e vendit kandidat javës tjetër, dhe madje në mënyrë simbolike të fillojnë bisedimet e anëtarësimit. Në këtë mënyrë ata do të shprehin solidaritetin e tyre me luftën e Ukrainës dhe do të angazhoheshin politikisht që Ukraina të bashkohet me BE-në sapo të përmbushë kushtet. Mirëpo, precedentët e së shkuarës nuk ngjallin besim. Turqia, mori statusin e vendit kandidat në vitin 1999 dhe filloi bisedimet për anëtarësim në BE në vitin 2005, por askush nuk di të thotë nëse ajo do të bëhet një ditë anëtare e BE-së. Po kështu, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë marrë respektivisht statusin e vendit kandidat në vitin 2005 dhe 2014, por ende nuk kanë nisur bisedimet për anëtarësim në BE.
Pavarësisht entuziazmit që përcjell lajmi i statusit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, e cila gjithashtu nën udhëheqjen e Presidentes Maia Sandu është përkushtuar me një vullnet të çeliktë në rrugën e reformave dhe luftën kundër krimit, korrupsionit dhe oligarikisë, realiteti i procesit të anëtarësimit në BE është më i lodhshëm e njëkohësisht i dhimbshëm, krahasur me të gjitha pretendimet morale. Urgjenca që ndjejnë ukrainasit vështirë se do të përputhet me burokracinë dhe gjendjen politike të BE-së. Perspektiva politike që kërkohet është më e rëndësishme sesa përmbushja e kërkesave teknike nga një vend në luftë.
Me vendimin e pritshëm për t’i dhënë statusin kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, BE-ja përcakton gjithashtu caqet e një bashkëpunimi të ri në pragun e Rusisë, kur dihet se kjo e fundit ka forcat e saj ushtarake të dislokuara në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Vështruar në këtë kontekst, BE-ja duhet të dëshmojë vendosmëri për të evituar situata të ngjashme me atë që ndodhi në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008, ku edhe pse u konfirmua perspektiva e anëtarësimit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO, ky proces nuk u materializua.
Edhe pse tingëllon paradoksale, BE-ja do të duhet të qartësojë gjithashtu evoluimin e strategjisë së zgjerimit për shtetet e Partneritetit Lindor në raport me NATO-n dhe politikën e saj të dyerve të hapura. Aleanca Atlantikut të Veriut i përmbahet zyrtarisht kësaj politike, e cila mbështetet nga shtetet e BE-së që janë gjithashtu anëtarë të NATO-s. Me nisjen e procesit të anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO, vetëm Irlanda, Austria, Malta dhe Qipro mbeten shtete të paangazhuar brenda BE-së. Si rregull, anëtarësimi në NATO i paraprin anëtarësimit në BE, siç është, për shembull, rasti i kandidatëve në Ballkanin Perëndimor, me përjashtim të Serbisë.
Nëse në rastin e Ukrainës anëtarësimi në BE do të vazhdonte ndërkohë që hyrja në NATO jo, kjo do ta vendoste BE-në në një situatë të vështirë, teksa do të pranonte një vend jashtëzakonisht të ekspozuar gjeopolitikisht, në një mjedis të pasigurt. Në një situatë hipotetike, sipas nenit 42.7 të Traktatit të BE-së, shtetet anëtare kanë detyrimin të ofrojnë “ndihmë me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion” për Ukrainën si shtet anëtar, në rast të një agresioni të armatosur në territorin e saj.
Edhe nëse BE-ja dhe anëtarët e saj do të kishin kapacitete të veta më të fuqishme, ato nuk mund ta bëjnë këtë pa masat mbrojtëse të NATO-s. Pavarësisht nga proceset e anëtarësimit, NATO dhe BE-ja duhet të bashkërendojnë ngushtë politikat me shtetet e Partneritetit Lindor në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Samiti i ardhshëm i NATO-s, cili do të mbahet në Madrid më 29-30 qershor pritet të përcaktojë piketat e sinkronizimit të veprimeve. Në një të ardhme të afërt BE-ja nuk do të jetë gati për të pranuar në gjirin e saj shtetet e Partneritetit Lindor. Për të siguruar në mënyrë efektive kufijtë me Rusinë, BE-ja duhet të zgjerojë ndjeshëm aftësitë e saj ushtarake brenda kornizës së Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe të thellojë bashkëpunimin me NATO-n.
Ndërkohë që qëndresa e ukrainasve ndaj pushtimit rus ka prodhuar një realitet dhe pritshmëri të reja në lindje të BE-së, në plan të parë duket sikur është zhvendosur vëmendja nga Ballkani Perëndimor. Mirëpo, qëndrimet dhe vizita e Kancelarit gjerman Scholz në disa prej kryeqyteteve të rajonit, pozicionimi i përbashkët italo-austriak dhe i shteteve dashamirëse ndaj procesit të zgjerimit, dëshmojnë të kundërtën. Natyrisht, hijet e dyshimit për skepticizmin francez ndaj procesit të zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të ishin fashitur nëse Presidenti Macron apo zyrtarët të lartë të qeverisë së tij, do të përcillnin në terren mesazhet e mbështetjes, gjatë presidencës franceze të BE-së.
Kjo, në kushtet kur Ballkani Perëndimor është dëshmia më e qartë e status quo në procesin e anëtarësimit në BE. Në një rajon që rrethohet nga shtete anëtare të BE-së, më shumë sesa për zgjerim mund të flitet për konsolidim të projektit evropian. E megjithatë, që prej Samitit të Selanikut të vitit 2003, procesi i anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE nuk ka gjetur mënyrën për të fuqizuar forcat e ndryshimit në shoqëri apo tërhequr qytetarët në procesin e konsolidimit demokratik, integritetit institucional dhe rrugën e reformave për zhvillim të qëndrueshëm. Me përjashtim të Kroacisë, e cila u bë pjesë e BE-së në vitin 2013, shtetet e tjera ndajnë pak a shumë të njëjtat sfida.
Çimentimi i status quo-s në rajon nuk nxit dinamika shoqërore që formësojnë realitete demokratike, zhvillim të qëndrueshem ekonomik të bazuar në shtetin e së drejtës, e as na bën përfitues të modelit të kapitalizimit social evropian. Është fakt i pamohueshëm se BE-ja, edhe pse është aktori më me peshë në rajon, krahas SHBA-ve, fuqia ndikuese e saj në zhvillimet e brendshme apo në adresimin e konflikteve të papërfunduara të shtetësisë është reduktuar në progresion gjeometrik me numrin e emisarëve special.
Në kohën kur është e thjehtë të bëhesh cinik me BE-në, lajmi se Ukraina apo Moldavia po bëhen vende kandidate për në BE na rikujton se për çfarë qëndron projekti evropian: paqe, liri dhe mirëqënie. Ndaj, krahas këtij lajmi, zyrtarizimi i bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sikundër heqja e regjimit të vizave për Kosovën do të ishin mesazhet e shpresës nga Këshilli Evropian javës që vjen për Ballkanin Perëndimor, i cili qëndron në pritje të anëtarësimit që prej Samitit të Selanikut në vitin 2003.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Gjesti ka kapërcyer murin rrethues në shtëpinë e BBVA? Produksioni fik mikrofonat gjatë kohës që banorët e diskutojnë këtë çështje

Profesoresha universitare: Thuajse krejt Rrafshi i Kosovës është me pasuri nëntokësore

Nuk u zgjodh nga publiku për t'u rikthyer, reagon Redoni: Kisha shumë dëshirë që kësaj here të vazhdoja si lojtar i vetëm, por nuk e deshi fati

Vendimi i Trumpit për ish-prokurorin Smith, ekspertët flasin për ndikim në Gjykatën Speciale

Revolucioni në skuadrën e Manchester Cityt do të tronditë futbollin

Të shtëna armësh pas gjykimit për vrasjen e Besar Nimanit, plagosen familjarët e njërit prej të pandehurve

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Bien 'drastikisht' vlerat e kriptovalutave - pse po ndodh kjo?

Zbulohet identiteti i gruas së dytë të Feros - ka një ngjashmëri të madhe me Arbenitën

Videoja e cila po shpërndahet me të madhe, Egli Tako pranon se po merr antidepresantë brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania 4

Real Madridi po përgatit një ofertë të madhe për transferimin e yllit të PSG-së

E dashura e re e yllit të Real Madridit, dikur pjesë e faqeve 'online' për eskorta? Jude Bellingham në qendër të vëmendjes për lidhjen e tij të re

Guardiola rikthehet për yllin e Real Madridit: Man City i gatshëm për ofertë 150 milionëshe