Luani kafshon në qafë një burrë në Fier, policia reagon pasi videoja u bë virale në Tiktok

Policia ka reaguar sërish lidhur me videon e bërë virale një ditë më parë në rrjetet sociale, ku shfaqej një luan në ambientet e një banese në Zharrëz të Fierit.
Videoja, ku luani kafshon një shtetas, ka ngjallur reagime të shumta dhe shqetësim në publik.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Fierit bën me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit të Fierit kanë kryer veprimet hetimore dhe procedurat përkatëse për të sqaruar rrethanat dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.
Pas hetimeve, është identifikuar shtetasi A. H., 52 vjeç, banues në fshatin Zharrëz, si personi që mbante në pronësi kafshën.
Sipas Policisë, ndaj tij ka nisur procedimi në gjendje të lirë për veprën penale "Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve", pasi dyshohet se ai e mbante luanin në banesë në kundërshtim me rregullat ligjore.
Në dëshminë e tij, A. H. ka pohuar se luanin e kishte gjetur rastësisht në rrugë në qytetin e Lushnjës, rreth 6 muaj më parë, kur ishte ende i vogël. Ai ka shtuar gjithashtu se kafsha kishte ngordhur një muaj e gjysmë më parë.
Aktualisht, policia vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij rasti të pazakontë./Telegrafi/
@tetovasot_official TikTok · TetovaSot

















































