Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës kanë deklaruar se ekonomia ndodhet buzë greminës, gjersa kanë bërë thirrje urgjente për ndërhyrje në tregun e energjisë për mbijetesën e prodhuesve vendorë.

Në reagimin për media thuhet se gjendja e bizneseve në Kosovë është alarmante.


“Vendimi i fundit i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), mungesa e kredidhënies për sektorin privat dhe pasiguria institucionale po e dëmtojnë rëndë sektorin prodhues dhe ekonominë në tërësi. Mungesa e stabilitetit institucional dhe vendimmarrja joadekuate kanë krijuar një klimë pasigurie, e cila po ndikon drejtpërdrejt në frenimin e investimeve dhe zhvillimit ekonomik”, thuhet në reagim.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës, në bashkëpunim me Shoqatën e Prodhuesve të saj, rithekson se dalja e detyruar e bizneseve në tregun e lirë të energjisë po krijon pasoja të rënda financiare për prodhuesit, pa siguri dhe rrezikim për mbijetesë bizneseve, të cilët janë shtylla kurrizore e ekonomisë sonë.

“... Sot, bizneset dhe prodhuesit po përballen më një problem tjetër: Një ndër barrat më të rënda është kërkesa e operatorëve të furnizimit për depozitë paraprake prej dy muajsh në momentin e nënshkrimit të kontratave. Kjo shumë, që përllogaritet të arrijë në rreth 20 milionë euro para të gatshme, është duke e shtrydhur likuiditetin e shumë bizneseve të vogla dhe të mesme, të cilat po detyrohen të mbështeten te kreditë bankare me kosto të larta interesi”, thuhet në reagim.

Si pasojë e kësaj, sipas tyre, po zvogëlohet ndjeshëm likuiditeti në treg, po rriten kostot operacionale dhe financiare të bizneseve si dhe po dëmtohet seriozisht qëndrueshmëria dhe konkurrueshmëria e sektorit prodhues kosovar.

“Për më tepër, moszbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Komerciale po përkeqësojnë më tej situatën. Ky është një dëm real dhe i matshëm që po i bëhet ekonomisë dhe punëdhënësve të vendit”, thuhet tutje. /Telegrafi/