Kompozitori i shquar shqiptar, Avni Mula ka ndërruar jetë në moshën 92- vjeçare. Me rastin e vdekjes së tij liderët politikë kanë shprehur ngushëllime duke e vlerësuar lartë kontributin e tij në skenën muzikore.

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se vepra e çmuar e tij do të jetojë gjatë dhe për brezat që do të vijnë.

“Me pikëllim e mora lajmin për ndarjen nga jeta të artistit të madh shqiptar, Avni Mula. Ngushëllime të sinqerta Inva Mulës, të gjithë familjes dhe komunitetit të artistëve. Vepra e çmuar e kompozitorit dhe baritonit tonë, do të jetojë gjatë edhe për brezat që do të vijnë”, ka shkruar Hoti.

Presidenti, Hashim Thaçi ka thënë se vdekja e kompozitorit Avni Mula, është humbje e madhe e kulturës kombëtare, familjes dhe miqve të tij.

“Vdekja e kompozitorit të shquar shqiptar, Artistit të Popullit, Avni Mula, është humbje madhe e kulturës kombëtare, familjes dhe miqve të tij. Brenda një periudhe të gjatë jetësore, Avni Mula kontribuoi në shumë fusha të artit muzikor, duke lënë pas një trashëgimi të pasur dhe elitare. Lamtumirë maestro, lamtumirë Nderi i Kombit”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Ngushëllime për vdekjen e kompozitorit Mula ka shprehur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Haradinaj e ka quajtur Mozarti shqiptar kompozitorin tashmë të ndjerë.

“Avni Mula, kompozitori që shqiptarëve iu dha “Valsin e Lumturisë”, paska ndërruar jetë. Mozarti shqiptar, la pas një trashëgimi të shkëlqyer, me një mal veprash artistike. Ngushëllime familjes Mula, komunitetit artistik, miqve dhe gjithë kombit shqiptar! U prehsh në paqe maestro!”, shkroi Haradinaj.

Edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se artistët e mëdhenj si Avni Mula shenjojnë epoka dhe janë krenari e kombëit, prandaj ikja e tyre lë zbrazëti të mëdha të pazëvendësueshme.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të muzikës shqipe, kompozitorit dhe këngëtarit të madh, Avni Mulës. Artistët e mëdhenj si Avni Mula shenjojnë epoka dhe janë krenari e kombit, prandaj ikja e tyre lë zbrazëti të mëdha të pazëvendësueshme. Më preku vdekja e Avni Mulës edhe sepse ma kujtoi fëmijërinë time kur në familje i dëgjonim fshehurazi këngët e tij patriotike. Sapo mora këtë lajm të hidhur, me emocion m’u kujtuan vargjet “se kemi nanë, se nuk jemi pa atdhe” që m’i mësonin vëllezërit më të rritur. Këto e shumë vargje të këngëve të Avniut na brumosën me dashurinë për Shqipërinë dhe për lirinë. Avni Mula u lind në Gjakovë dhe familja e tij iku në Shqipëri për t’i shpëtuar dhunës dhe terrorit serb. Por, ai asnjëherë nuk e harroi Kosovën dhe me këngët e tij frymëzuese ai i bëri një shërbim të madh rezistencës në Kosovë. Vdekja e artistëve të mëdhenj të kombit si Avniu, na bëjnë të reflektojmë mbi rëndësinë që ka muzika dhe në përgjithësi kultura në kultivimin e vlerave më fisnike atdhedashëse e njerëzore. Avni Mula u nda nga kjo botë por vepra e tij do të jetojë përjetësisht!”, ka shkruar Veseli.

Edhe Kuvendi komunal i Gjakovës ka shprehur ngushëllime për vdekjen e kompozitorit Mula.

“Vargjet e këngës “Moj Gjakovë sa m’ka marr malli…” asnjëherë nuk kanë shprehur më shumë emocion se sa sot, kur morëm lajmin për ndarjen nga jeta të kompozitorit Avni Mula.
Kompozitori gjakovar, Avni Mula, përmes muzikës së tij na ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme. Kujtojmë që në qershorin e vitit 2019, Avniu ishte shpallur “Nderi i Gjakovës” nga Kryetari i Komunës Ardian Gjini. Shprehim ngushëllimet më të thella familjes, komunitetit artisitik dhe gjithë qytetarëve”, thuhet në njoftimin e KK Gjakovë. /Telegrafi/