Librat që ndërtojnë sjelljen pozitive dhe komunikimin në klasat fillore - komuniteti arsimor i Gjilanit shpreh vlerësime dhe sugjerime

Komiteti i Arsimit në Komunën e Gjilanit ka organizuar të martën një tryezë diskutimi për librat e ciklit fillor të botuara nga tri mësimdhënëse - Vlora Jakupi, Yllka Behluli dhe Gëzime Bllaca-Sahiti.
Ky takim kishte për qëllim mbledhjen e vërejtjeve dhe sugjerimeve nga pjesëmarrës të shumtë nga fusha të ndryshme lidhur me tekstet mësimore “Edukimi dhe Komunikimi” për klasat I-V.
Në një fjalë rasti, drejtoresha e shkollës fillore “Nazmi Hoxha” në Gjilan, Blerina Gashi, theksoi se shkollat e sotme nuk janë thjesht vende të dijes, por hapësira jetike për zhvillimin emocional dhe social të fëmijëve.
Më tej, Gashi e fokusoi diskutimin e saj konkretisht në librat “Sjellja dhe Edukimi 1, 2, 3”, si dhe “Edukimi përmes Lojës 4, 5”. Ajo nënvizoi rëndësinë e këtyre librave, të cilët, sipas saj, janë mjete të domosdoshme për mësimdhënësit, edukatorët dhe prindërit që synojnë të ndërtojnë një kulturë pozitive në klasë dhe të rrisin fëmijë emocionalisht të qëndrueshëm.
Gashi shtoi se këta libra ndihmojnë në integrimin e inteligjencës emocionale, e cila, sipas saj, është thelbësore në procesin edukativ për ndërtimin e një klime të sigurt dhe të balancuar për çdo nxënës.
“Sjellja dhe Edukimi 1, 2, 3” janë libra që ndihmojnë në kuptimin dhe menaxhimin e sjelljes përmes qasjeve të buta, por të strukturuara, duke përfshirë elemente si vetëdija emocionale, vetëkontrolli dhe empatia”, tha Gashi.
Ndërsa për librat “Edukimi përmes Lojës 4, 5”, Gashi theksoi rëndësinë e tyre të veçantë, pasi përmes lojës dhe aktiviteteve të strukturuara, fëmijët zhvillojnë komunikimin, bashkëpunimin dhe ndjeshmërinë mes njëri-tjetrit.
Nga ana tjetër, kryetarja e Komitetit për Arsim në Gjilan, znj. Ardhëmrie Musliu, tha se të pranishmit nxorën disa konkluzione të përgjithshme nga diskutimi mbi këto libra.
“1. Disiplina dhe rregulli janë thelbësore në edukim, duke krijuar një ambient të qëndrueshëm për të nxënë. 2. Zhvillimi i vetëbesimit te nxënësit vjen përmes inkurajimit, përgjegjësisë dhe përfshirjes aktive në mësim. 3. Komunikimi etik dhe mirëkuptimi midis mësimdhënësit dhe nxënësit janë çelës për një klimë pozitive në klasë”, tha Musliu.
Ndërkaq, tri autoret e librave shprehën falënderim të veçantë për kryesuesen e Komitetit për Arsim, Ardhëmrie Jakupi, Musliu, Ismajl Kurteshi – asambleist, si dhe për Kryetarin e Kuvendit Komunal, z. Kushtrim Kadriu, për mbështetjen dhe bashkëpunimin në organizimin e kësaj tryeze.
Po ashtu, ato falënderuan të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe kontributin e dhënë në këtë diskutim me vlerë. /Telegrafi/


















































