Lëvizja Vetëvendosje i drejtohet Supremes, kërkon të numërohen edhe 392 pako me fletëvotime

Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Supreme pas refuzimit të ankesës që i është bërë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me numërimin e 392 pako me fletëvotime, të cilat kanë arritur në KQZ pas dy muajsh.
Në njoftimin e bërë nga LVV thuhet se, Gjykata Supreme, në frymë dhe përmbajtje në dy raste të mëparshme ka konfirmuar të drejtën e votuesve nga mërgata që fletëvotimet e tyre të dërguara me kohë dhe para datës së zgjedhjeve, të numërohen dhe të përfshihen në rezultatin përfundimtar, transmeton Telegrafi.
Lëvizja Vetëvendosje thotë se çdo votë e ardhur në adresë të KQZ-së, dhe e nisur nga votues të regjistruar dhe brenda afatit, duhet të numërohet dhe të përfshihet në rezultatin përfundimtar.
Njoftimi i plotë nga LVV:"Për sa kohë që vazhdonte rinumërimi dhe ende pa u shpallur rezultatet, kemi kuptuar që në adresë të KQZ-së kanë arritur edhe 392 pako me fletëvotime të bashkatdhetarëve me të drejtë vote. Gjykata Supreme, në frymë dhe përmbajtje në dy raste të mëparshme ka konfirmuar të drejtën e votuesve nga mërgata që fletëvotimet e tyre të dërguara me kohë dhe para datës së zgjedhjeve, të numërohen dhe të përfshihen në rezultatin përfundimtar. Aktgjykimet e Gjykatës Supreme do të duhej të shërbenin si bazë e mjaftueshme që KQZ të bëjë edhe numërimin e këtyre 392 pakove, por pas refuzimit për t’i numëruar dhe refuzimit nga ana e PZAP-së për të urdhëruar KQZ-në, çështjen e kemi adresuar në Gjykatën Supreme.



































