LAJMI I FUNDIT:

Lëvizja Besa: As vërshimet nuk e mbulojnë turpin e Komunës së Çairit (Foto)

Dega e Lëvizjes Besa në komunën e Çairit ka reaguar kundër komunës me disa fotografi drejtuar Telegrafit në Maqedoni ku pasqyrohen vërshimet në rrugët e këtij vendbanimi.

”Pas motit me shi të rrëmbyeshëm, që sot e përfshiu Shkupin dhe, veçmas Komunën e Çairit, me ç’rast pati rrëzim të shtyllave elektrike dhe lëndime të njerëzve e dëmtime të pronave private, edhe rrugët e lëna djerrinë e pa asfalt, siç është rruga Çairska në Gazi Babë (më pak se 1 km nga qendra e qytetit), tashmë janë shndërruar në hendeqe dhe aty vështirë mund të kalohet edhe në këmbë.
Megjithëse Ministria e Transportit dhe Lidhjeve vetëm për vitin 2016 ka ndarë për rrugët e Çairit 3.550.556 denarë, vagabondët e mafisë urbane të Çairit, që tash komunikojnë mes vete me plumba dhe sa nuk vriten për shkak të të palarave të tyre, as që çajnë kokën se qytetarët e Çairit e vuajnë me jetë dalldinë e tyre për pushtet. Andaj ne nuk mund të mos pyesim se a mos ato para shkojnë në shtëpitë luksoze, kështjellat familjare, makinat apo veshjet super të shtrenjta të këtyre drejtuesve të Komunës?
Të gjendur në këtë situatë, kur Çairi – i udhëhequr më shumë se dhjetë vite nga BDI – është shndërruar tashmë në geto, atdhe të krimit, mafisë urbane, ndërtimeve të egra, papastërtisë dhe pasigurisë, dëshirojmë t’i pyesim zyrtarët e Çairit se sa shi u mjafton atyre që t’u zbulohet turpi dhe abuzimi me pushtetin?” thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa./Telegrafi/


Besa Çair 1

Besa Çair 3

Besa Çair 4

Besa Çair 5

Besa Çair 6