Lëshuan certifikata për armë pa prezencën e personave, katër të arrestuar gjatë aksionit të sotëm në Prishtinë

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka dhënë detaje lidhur me aksionin e zhvilluar sot në kryeqytet.
Kontrollet u kryen në katër lokacione të ndryshme, përfshirë dy shtëpi private, një lokal afarist dhe një zyrë, në koordinim me Prokurorinë Themelore Prishtinë dhe me urdhër të Gjykatës Themelore Prishtinë.
“Përmes hetimeve të zhvilluara, ku janë aplikuar masat e veçanta të hetimit, janë siguruar dëshmi të mjaftueshme për të dëshmuar veprat penale si: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe ‘marrja e ryshfetit në sektorin privat’”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin, policia njofton se në mesin e të arrestuarve janë tre burra dhe një grua.
“Dyshohet se katër persona të dyshuar (nga ta tre meshkuj kosovarë dhe një femër kosovare) janë përfshirë në veprat penale të lartcekura, duke marrë ryshfet nga persona të ndryshëm të cilët janë pajisur me certifikatë për leje të armës pa prezencën e tyre, siç e parasheh ligji dhe procedurat tjera vijuese”, ka njoftuar policia.
Gjatë kontrollit, Policia sekuestruar 7 telefona celularë, dosje dhe dokumente relevante në lidhje me rastin, ndërsa personat e dyshuar janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë. /Telegrafi/





















































