Komuna e Junikut ka njoftuar për vazhdimin e investimeve në sektorin e shëndetësisë, duke vënë në funksion liftin në objektin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë.

Sipas njoftimit, ky investim vjen pas një sërë përmirësimesh të realizuara së fundmi, përfshirë funksionalizimin e shërbimit 24 orë në QKMF, vendosjen në punë të aparatit të rentgenit, si dhe projekte të tjera si rregullimi i rrethojës dhe oborrit, pajisja me autoambulancë dhe sigurimi i veturës për shërbime në shtëpi.


Komuna ka bërë të ditur se lifti është realizuar nën udhëheqjen e kryetarit Ruzhdi Shehu, me qëllim lehtësimin e qasjes për pacientët dhe përmirësimin e kushteve të shërbimit brenda institucionit shëndetësor.

“Funksionalizimi i liftit përbën një hap të rëndësishëm drejt rritjes së cilësisë së shërbimeve dhe krijimit të kushteve më të përshtatshme për të gjithë pacientët, në veçanti për ata me vështirësi në lëvizje”, thuhet në njoftim.

Autoritetet komunale theksojnë se do të vazhdojnë me investime konkrete, me synim avancimin e mëtejmë të shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Junikut. /Telegrafi/