Është prezantuar një replikë e re e konzolës ikonike Nintendo Game Boy nga viti 1989.

LEGO ka paraqitur një kopje të besueshme të kësaj konzole legjendare, të dedikuar për koleksionistët dhe adhuruesit e teknologjisë retro. Seti i ri përmban plot 421 pjesë dhe ka pothuajse të njëjtën madhësi si konzola origjinale.


Seti, me emërtimin LEGO Icons 72046, përfshin të gjitha detajet e pajisjes ikonike: butona funksionalë, rrotullues për zë dhe kontrast, vendin e njohur për video-lojërat, madje edhe tre shtesa lentikulare me ekrane retro – njëra prej tyre shfaq lojën legjendare Super Mario Land.

Blerësit do të marrin gjithashtu dy kartela “Game Pak” që mund të futen në konzolë ose të ekspozohen në një bazament.

Çmimi i setit është 59,99 euro dhe porositë paraprake janë tashmë të hapura. Seti pritet të jetë i disponueshëm në dyqane nga 1 tetori 2025.

Është interesante që LEGO nuk ka përdorur fare ngjitëse – të gjitha detajet, përfshirë logon, tekstet dhe numrat serialë, janë të shtypura direkt mbi pjesët. Në pjesën e pasme të setit ndodhet edhe një dedikim i fshehtë për datën origjinale të lansimit të Game Boy-it (21 prill 1989).

Seti është pjesë e linjës premium të LEGO-s për të rriturit, dhe shumë adhurues të video lojërave dhe koleksionistë tashmë e kanë cilësuar si një produkt "të domosdoshëm" për fansat nostalgjikë të viteve ’80 dhe ’90. /Telegrafi/