LAJMI I FUNDIT:

Le Maire: Franca pritet të humb 800 mijë vende pune në muajt e ardhshëm

Le Maire: Franca pritet të humb 800 mijë vende pune në muajt e ardhshëm

Franca pritet t’i humb 800 mijë vende pune në muajt e ardhshëm, kështu paralajmëroi ministri i Financave, Bruno Le Maire, pasi ekonomia fillon të lehtësojë masat e kufizimit pas pandemisë COVID-19.

Sipas tij, humbja do të jetë 2.8 për qind e punësimit të përgjithshëm.

“Vlerësimi ynë është që 800 mijë vende pune do të humbasin në muajt e ardhshëm, ose 2.8 për qind të punësimit të përgjithshëm. Tronditja është e konsiderueshme dhe kërkon politika masive publike për të mbështetur dhe shoqëruar të gjithë ata që preken. Masat e tilla përfshijnë skemën e punës, zbritjen e taksave për kompanitë dhe stimulimet financiare për të punësuar praktikantë”, tha Le Maire, para një komisioni parlamentar për financa.


Banka e Francës tha se ekonomia e vendit ka të ngjarë të zvogëlohet rreth 10 për qind, si rezultat i bllokimit të rreptë në të gjithë vendin të vendosur në muajin mars.

Sipas Zyrës së Statistikave, ekonomia e Francës u tkurr me 5.3 për qind në tre muajt e parë të vitit, ku mund të arrijë në 20 për qind në tremujorin e dytë.

Franca po planifikon një shpenzim prej rreth 45 miliardë euro për të mbështetur sektorët më të rrezikuar. /Telegrafi/