LAJMI I FUNDIT:

LDK reagon pas marrëveshjes për targa: Qeveria barazoi Njësinë Speciale me barrikaduesit e jashtëligjshëm

LDK reagon pas marrëveshjes për targa: Qeveria barazoi Njësinë Speciale me barrikaduesit e jashtëligjshëm

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas marrëveshjes së arritur sot në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket çështjes së targave.

LDK thotë se ka përcjellur me vëmendje ngjarjet në veri të vendit, që nga dita e parë e deri në ditën e sotme, kur u arrit marrëveshja në Bruksel, transmeton Telegrafi.

Në reagimin e bërë për media, LDK kritikon Qeverinë Kurti për marrëveshje, duke thënë se ka bërë një hap para dhe dy prapa.


“LDK-ja i ka dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës për shtrimin e sovranitetit në gjithë territorin e vendit, si dhe në çështjen e reciprocitetit, si masë e drejtë dhe e domosdoshme në relacionet politike e tregtare me Serbinë. Po ashtu, LDK-ja ka konsideruar se dialogu është formë e vetme e trajtimit të problemeve ndërshtetërore; së këndejmi pjesëmarrja në dialog e një partie sot në pushtet që për gjithë kauzën e vet historike e kishte kundërshtuar si mjet, ndonëse kthesë e jashtëzakonshme, ishte e vetme dhe e paalternativë”, vijon reagimi.

Tutje, në reagim thuhet se “përkundër mbështetjes së opozitës, partia në pushtet, që deri dje refuzonte dialogun si mjet, sot bëri një hap para dy prapa”.

“Ndonëse vlerësojmë arritjen e barazisë në trajtimin e targave, e kundërshtojmë fuqishëm barazimin e paprecedentë dhe me pasoja afatgjata që Qeveria e Republikës së Kosovës i bëri forcave të sigurisë e ligjshmërisë me barrikadat e sponsorizuara nga Serbia. Qeveria e Kosovës, për herë të parë, barazoi Njësinë Speciale Policore me barrikaduesit e jashtëligjshëm. I bëri pra palë; palë me të cilën për territorin e vet duhet të merret vesh me Serbinë.

Në vend të shtrimit të sovranitetit e ligjshmërisë, sot, Qeveria e Kosovës, u tërhoq dhe dorëzoi këtë sovranitet tek një palë e tretë. Për më tepër, këtë tërheqje e bëri në pajtim me Serbinë që nuk na njeh. Ky vend fqinj, Serbia pra, nga sot jep pëlqim ose jo mbi organizimin e ligjshëm të territorit të Kosovës. Pra pajtimi i Serbisë, se si rregullohet ligjshmëria në Kosovë, ku qëndrojnë Njësitë Policore e kur e në çfarë afati largohen ato, është prapakthim i rëndë. Mbi të gjitha, është precedent i rrezikshëm për të ardhmen; nga tani, sa herë që forcat e rendit shkojnë në Veri për të vënë ligjshmëri, barrikadat ngrihen e Kosova duhet të negociojë me Serbinë për largimin e tyre”, thekson komunikata e LDK-së.

Tutje, LDK-ja po ashtu kundërshton fuqishëm, legjitimitetin e tabelave të qyteteve të Kosovës të lëshuara në Serbi.

“Vazhdimi i përdorimit të tyre është po ashtu prapakthim. Asnjë tiketë ngjitëse, asnjë masë tjetër, nuk mbulon gabimin e rëndë që Qeveria e Kosovës ka bërë sot. LDK-ja vlerëson se sovraniteti i dorëzuar nuk mund të jetë sovranitet i ushtruar”, thuhet në reagim.

LDK thotë se “marrëveshja e sotme është marrëveshja e vitit 2016, e quajtur dikur ‘marrëveshje e turpit’ nga po këta që e riaktivizuan sot, por e degraduar, meqë rendin dhe ligjin në veri më nuk mund ta ushtrojnë institucionet e Republikës së Kosovës pa i lejuar Serbia”.

Ndryshe, sot i dërguar i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar se është arritur një marrëveshje për targa mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak në një postim në Twitter shkruan se pas dy ditëve të negociatave intensive është arritur një marrëveshje për deeskalim të situatës, ndërsa ka falënderuar Bislimin dhe përfaqësuesin e Serbisë për gatishmërinë për të negociuar. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
​Kurti, politikani më i votuari në Kosovë – thyen rekordin e presidentes Vjosa Osmani

​Kurti, politikani më i votuari në Kosovë – thyen rekordin e presidentes Vjosa Osmani

Lajme
Qeveria merr vendimin, mbyllet platforma TikTok në Shqipëri

Qeveria merr vendimin, mbyllet platforma TikTok në Shqipëri

Lajme
Departamenti amerikan i Mbrojtjes: Nuk ka ndryshime të planifikuara për trupat në Kosovë

Departamenti amerikan i Mbrojtjes: Nuk ka ndryshime të planifikuara për trupat në Kosovë

Siguri
A po rrezikon Kurti arrestimin për shkak të mos paraqitjes në prokurori për intervistim? Flasin njohësit e sistemit të drejtësisë

A po rrezikon Kurti arrestimin për shkak të mos paraqitjes në prokurori për intervistim? Flasin njohësit e sistemit të drejtësisë

Lajme
​Shoqatat e dala nga lufta bëjnë homazhe në Prekaz, Jashari: Në qeveri ka njerëz anti-UÇK

​Shoqatat e dala nga lufta bëjnë homazhe në Prekaz, Jashari: Në qeveri ka njerëz anti-UÇK

Lajme
Osmani pritet nga Rifat Jashari në Kullën e Jasharajave: Mbesin dritë udhërrëfyese për ne

Osmani pritet nga Rifat Jashari në Kullën e Jasharajave: Mbesin dritë udhërrëfyese për ne

Lajme
Kalo në kategori