Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka nderuar sot veprimtarin Ukë Bytyçi, në 23-vjetorin e vrasjes së tij.

Në selinë qendrore të LDK-së u shpalos pllaka përkujtimore e Ukë Bytyçit, në një ceremoni ku morën pjesë kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, familjarët e tij – zonja Kimete Bytyçi dhe fëmijët Shqipe e Flamur Bytyçi, si dhe bashkëveprimtarë politikë e anëtarë të partisë.


Abdixhiku tha se Ukë Bytyçi është vendosur aty ku e meriton, në Koridorin e Kujtesës të LDK-së, pranë figurave të mëdha të kauzës kombëtare si Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Shaban Manaj, Ismet Rraci dhe Nekibe Kelmendi.

“Jeta e Ukës është rrëfimi i një brezi që e deshi Kosovën me punë, me guxim dhe me përkushtim të pashoq. Nga demonstratat e ’81-shit, në themelimin e LDK-së, në organizimin e rezistencës, në luftën për liri dhe në drejtimin e Suharekës si kryetar komune, Ukë Bytyçi mbetet shembull i njeriut që jetoi për idealin e lirisë dhe për shërbimin ndaj qytetarëve,” u shpreh Abdixhiku.

Ukë Bytyçi u vra më 27 tetor 2002, vetëm një ditë pas fitores së tij të dytë zgjedhore për kryetar të Suharekës.

“LDK-ja e nderon e kujton me mirënjohje të thellë një prej bijve të saj më të denjë, një simbol të qëndresës dhe dashurisë për Kosovën. Lavdi jetës dhe veprës së Ukë Bytyçit,” përfundoi Abdixhiku. /Telegrafi/