LDK dhe PDK nënshkruajnë marrëveshje për bashkëqeverisje në Junik – kandidati i PDK-së tërhiqet nga gara dhe mbështet Ruzhdi Shehun

Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ajo e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Junik kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim politik dhe bashkëqeverisje për mandatin 2025–2029.
Përmes një postimi në “Facebook”, Shehu ka bërë të ditur se kandidati i PDK-së për kryetar të Junikut është tërhequr nga gara dhe ka vendosur ta mbështesë zyrtarisht atë si kandidat të LDK-së për kryetar komune.
Sipas marrëveshjes, strukturat e PDK-së dhe elektorati i saj do të mobilizohen për të mbështetur kandidatin e LDK-së në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
“Shehu e ka cilësuar këtë marrëveshje si një hap të guximshëm dhe në dobi të qytetarëve të Junikut. ‘Ky bashkim është shembulli më i mirë se si politika mund të shërbejë si urë bashkimi, jo ndarjeje’, ka shkruar ai, duke shtuar se kjo është politikë e së ardhmes – bashkë për qytetarët e Junikut.”
Në postimin e tij, Shehu ka falënderuar strukturat e PDK-së për “aktin e përgjegjshëm dhe të guximshëm” dhe ka theksuar se ky bashkim e bën të pashmangshme fitoren e LDK-së pa balotazh.
Në fund, ai ka ftuar edhe kundëkandidatët tjerë që të tërhiqen nga gara dhe të bashkohen me vizionin e përbashkët për zhvillimin, mirëqenien dhe dinjitetin e Junikut.
“Të dielën, le ta vulosim këtë bashkim historik me votën tonë. Juniku do të ecë përpara më fuqishëm se kurrë”, ka përfunduar Shehu.




















































