LDK akuzon LVV-në për përleshjen fizike te Komuna e Prishtinës

Një rrahje dyshohet se ka ndodhur në oborrin e Komunës së Prishtinës.
Pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kryeqytetit, janë konfrontuar fizikisht kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, dhe asamblisti i LDK-së, Sami Salihu.
LVV dhe LDK kanë akuzuar njëra tjetrën për incidentin.
Fillimisht është raportuar për sulm fizik ndaj kryesuesit të Kuvendit, Fehmi Kupina, e më pas Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se bëhet fjalë për një sulm ndaj asamblistit të kësaj partie, Sami Salihu.
Sipas njoftimit të Grupit të Asambleistëve të LDK-së, sulmi është kryer nga djali i kryesuesit të Kuvendit, Fehmi Kupina, dhe përbën një akt të papranueshëm që godet demokracinë, institucionet dhe dinjitetin e Kuvendit të Kryeqytetit.
“Ky sulm nuk është vetëm dhunë ndaj një përfaqësuesi të qytetarëve, por edhe një goditje ndaj demokracisë dhe institucioneve tona. Dhuna nuk ka dhe nuk mund të ketë vend në jetën institucionale dhe politike të vendit tonë,” thuhet në reagimin e LDK-së.
Grupi i Asambleistëve të LDK-së ka falënderuar Policinë e Kosovës për reagimin e menjëhershëm dhe ka kërkuar nga organet e rendit dhe të drejtësisë ndërmarrjen e masave të shpejta ndaj autorëve.
LDK po ashtu konfirmon se qëndron pranë Sami Salihut, duke theksuar se dhuna nuk do të ndalë misionin e tyre për të mbrojtur interesin e qytetarëve, demokracinë dhe rendin ligjor në Prishtinë dhe në Kosovë.
Ndërkaq Policia ka bërë të ditur se janë shoqëruar tre persona.
“Sot rreth orës 10:30 është pranuar informata për një rrahje në rrugën “UÇK” në Prishtinë. Me të marrë informatën policia, ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar 3 persona, të cilët ishin përfshirë në rast. Aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.


















































