Lamtumirë fëmijëve të humbur të Gazës: Ju donin, do t’ju kujtojnë, këtë nuk e keni merituar
Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Gjatë javës së kaluar, palestinezët e Gazës janë kthyer në shtëpitë e veta, tashmë të reduktuara kryesisht në rrënoja – dhe te të vdekurit e tyre që ende ndodhen nën to. Vetëm tani do të fillojmë të kemi një pasqyrë më të plotë të kostos së vërtetë të kësaj lufte – vetëm tani mund të fillojë çfarëdo lloj zie apo vajtimi, një proces që u është mohuar fizikisht dhe emocionalisht palestinezëve gjatë 15 muajve të fundit. Kur të bëhet i qartë numri përfundimtar, ajo që me shumë gjasë do të dalë në pah është një bilanc kolosal i vdekjeve të fëmijëve.
Të dhënat tashmë tregojnë se fëmijët përbëjnë shumicën e viktimave. Një analizë e OKB-së mbi vdekjet – e verifikuara gjatë një periudhe pesëmujore – konfirmoi se 44 për qind e atyre që humbën jetën ishin fëmijë. Më shpesh, ata ishin fëmijë të moshës pesë deri në nëntë vjeç; 80 për qind e tyre u vranë në shtëpitë e tyre.
Dua që të ndaleni me mua për një moment, të paktën për kohëzgjatjen e këtij shkrimi, dhe të lejoni që këto statistika të shndërrohen në tragjedi. Shumë shpesh, humbjet individuale të kësaj lufte, janë zhdukur në debatin e përgjithshëm mbi vërtetësinë e numrave të të vdekurve, mbi faktin nëse ishin të justifikuara dhe madje të nevojshme. Dhe, tani, një armëpushim e tërheq vëmendjen tonë nga vdekshmëria drejt analizave se çfarë mundet dhe duhet të vijë më pas. Sigurisht që ky është një reflektim i nevojshëm. Miliona njerëz në Gazë ende nuk janë jashtë rrezikut për jetë, e ardhmja e tyre është e pasigurt dhe ata tani kanë nevojë për mbrojtje. Por, në këtë proces ekziston rreziku që ajo që ndodhi të zvogëlohet ose të spastrohet nga realiteti i saj. Dhe, ajo që ndodhi është se mijëra njerëz të pafajshëm vdiqën, mes tyre mijëra fëmijë.
Tmerret nuk qëndrojnë vetëm te fakti që ata vdiqën. Por, edhe se si vdiqën. Në terror maksimal. Shumë prej tyre në shtëpitë e veta, mbi tokën që dridhej, mes kakofonisë dhe ulërimave të bombave, pastaj ose u shkatërruan plotësisht ose u mbuluan nga rrënojat, për t’u nxjerrë më pas me fytyra të zverdhura nga pluhuri, ose në copa të mbledhura në qese plastike. Të tjerët vdiqën mes dhimbjes më të madhe, pasi mungesa e anestezisë dhe e furnizimeve mjekësore bëri që disa të ndërronin jetë nga plagët pa asnjë lloj lehtësimi. Të tjerët humbën jetën pasi ua amputuan gjymtyrët pa asnjë dozë qetësuesi.
Mijëra momente paniku dhe agonie, që çuan në një vdekje pothuajse të sigurt. Shumica e këtyre çasteve të fundit nuk u panë nga askush që mbijetoi për t’i treguar, as nuk u raportuan. Por, në disa raste, si ajo e pesëvjeçares Hind Rajab, kemi një pasqyrë rrëqethëse të llojit të tmerrit që ata përjetuan. Ajo u vra mes të afërmve të saj të vdekur, e vetme, pasi iu lut në telefon shërbimeve të emergjencës që ta shpëtonin. Lidhja telefonike u ndërpre pas të shtënave me armë.
Ne kemi parë dhe dëgjuar vetëm një numër të papërfillshëm të këtyre historive: foshnjat e gjetura të dekompozuara në kujdesin intensiv, foshnjat që vdiqën nga të ftohtit, fëmijët që shtriheshin të pajetë mbi një copa çeliku, me emrat e tyre të shkruar me bojë të zezë në trupat e tyre nga prindërit, në mënyrë që të mund të identifikoheshin. Secila prej këtyre vdekjeve është një tragjedi e vetme: një fëmijë i privuar nga një e ardhme, nga një mundësi për të zbuluar kush është, për të njohur botën, për të qenë një person. Tani shumëzojeni këtë me mijëra.
Bëjeni këtë dhe përpiquni të kuptoni përmasat e asaj që u lejua të ndodhte – jo për kënaqësi morbide, por sepse në justifikimin e asaj që iu bë fëmijëve të Gazës fshihet forma më ekstreme e çnjerëzimit nga e cila vuajnë të gjithë palestinezët. Askush nuk është më i pafajshëm se një fëmijë; vdekja e tyre është dëshmia më e pamohueshme e padrejtësisë së kësaj lufte – mënyrës se si u zhvillua, u pranua dhe u mbështet. Askush nuk është më universal se një fëmijë, i papërfshirë në politikë, pa përgjegjësi, pa kuptuar një botë që për ta është vetëm një shesh lojërash.
Askush nuk mbrohet më instinktivisht se një fëmijë. Kjo është arsyeja pse vuajtjet e fëmijëve, mijëra kilometra larg, na prekin kaq thellë edhe kur nuk i njohim; tek ata shohim fëmijët në jetën tonë – të gjithë të ngjashëm në shkathtësinë dhe gjallërinë e tyre, në individualitetin e tyre në lulëzim. Kur tërhiqemi në arsyetime – se lufta është ferr, se përgjegjësia bie mbi Hamasin për nisjen e saj, se dëmet anësore janë të pashmangshme – dështojmë të ndiejmë me dhimbje të plotë atë që ndodhi me fëmijët e Gazës, dhe pastaj instinktet tona shtrembërohen.
Kjo shpërfillje mund të jetë e rrezikshme. Ajo rrezikon të shtrihet edhe mbi ata fëmijë që mbijetuan – gati 40 mijë jetimë, mijëra të gjymtuar, qindra mijëra të zhvendosur, shkollat e të cilëve janë shkatërruar, ndërsa “shkatërrimi i plotë psikologjik” ka prekur të gjithë fëmijët që e kanë përjetuar këtë luftë. Edhe nëse armëpushimi shënon fundin e saj, nuk ka dyshim se brezi më i ri i Gazës do të ecë përpara me vështirësi drejt një të ardhmeje të errët – nëse bota nuk gjen dhe nuk ofron empatinë e saj, si dhe një mobilizim më të madh për ndihmën dhe mbështetjen e domosdoshme. Në një thirrje drejtuar Këshillit të Sigurimit javën e kaluar, nënsekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për çështjet humanitare argumentoi në favor të të gjymtuarve, jetimëve, të zhvendosurve dhe të traumatizuarve. “Fëmijët e Gazës nuk janë dëme anësore”, ka thënë Tom Fletcher. “Ata meritojnë, si çdo fëmijë tjetër, siguri, arsim dhe shpresë. Ata na thonë se bota nuk ishte pranë tyre gjatë kësaj lufte. Tani ne duhet të jemi aty për ata”.
Edhe ata që kanë vdekur kanë të drejta – ata meritojnë të vajtohen, diçka që u është mohuar të gjithë atyre që janë vrarë. Shumë prej tyre nuk kanë marrë as respektin e një varrimi dinjitoz. Njëzet mijë fëmijë ende mungojnë, mbeten nën rrënoja ose janë hedhur në varre masive. Me shkatërrimin e shumicës së infrastrukturës së Gazës dhe pezullimin e jetës normale për shkak të luftës, vdekjet e tyre janë grumbulluar dhe janë reduktuar në statistika pa emër. Shumica nuk kanë pasur funerale, lutje, momente heshtjeje, asnjë kremtim të jetës së tyre, shpirtit të tyre, personaliteteve të tyre të veçanta. Ata janë vetëm një listë emrash, një numër aq i madh dhe pa detaje, saqë, në mungesën e njohjes dhe humanizimit, vrasja e fëmijëve perceptohet si një nënprodukt industrial. Por, nuk është. Ajo ishte e shmangshme, e panevojshme dhe e lejuar vetëm sepse jeta palestineze, në tërësi, është bërë e pavlerë në logjikën që i jep Izraelit të drejtën absolute për t’u mbrojtur me çdo mjet, sado kriminal qoftë ai. Sepse bota nuk ishte aty për ata.
Por, të gjitha përpjekjet për të ulur vlerën e jetës së humbur nuk po e bëjnë këtë. Përpara se të hidhemi në fazën tjetër të fatkeqësisë së Gazës, u detyrohemi atyre, dhe vetes, çfarëdo qoftë politika jonë, të ndalemi dhe të hapemi ndaj dhimbjes për fëmijët e vegjël që u shuan. Lamtumirë fëmijëve të Gazës. Ju donin, do t’ju kujtojnë, këtë nuk e keni merituar. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëBrohoritje 'Zdravo', 'Albin hajni' dhe mjete piroteknike gjatë tubimit të Kurtit në Skenderaj
Trump dëshiron të "pastrojë" Gazën - ja çfarë mund të thotë kjo për Lindjen e Mesme
Trump i përgjigjet ofertës së Salmanit prej 600 miliardë dollarësh: Duhet t'i rrumbullakojë investimet në një trilion
E quajti 'gjeneral të vetëshpallur', Haradinaj i përgjigjet Donika Gërvallës
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime
U raportua se do të sillen 100 mijë palestinezë në Shqipëri, reagon Rama
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Trump dëshiron të "pastrojë" Gazën - ja çfarë mund të thotë kjo për Lindjen e Mesme
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime
E quajti 'gjeneral të vetëshpallur', Haradinaj i përgjigjet Donika Gërvallës
Pas gjithë debateve dhe diskutimeve, Gjesti e Egli shkëmbejnë puthje dhe përqafime
Brohoritje 'Zdravo', 'Albin hajni' dhe mjete piroteknike gjatë tubimit të Kurtit në Skenderaj
U raportua se do të sillen 100 mijë palestinezë në Shqipëri, reagon Rama