Lajmërohet burri që po kërkohet nga Policia si i dyshuar për dhunimin e gruas: “Nja dy-tri shuplaka ndoshta ia kam dhënë”

Mediat kanë publikuar sot njoftimin e Policisë së Kosovës ku kërkohej ndihma e qytetarëve për kapjen e Sadat Fejziut, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “dhunim”.
I kërkuari nga Policia, që dyshohet se e ka ushtruar ndaj gruas së tij, Fejziu ka folur me shumë qetësi, madje tha se asgjë nuk i ka bërë, vetëm “dy-tri shuplaka”.
“Kush e dhunon gruan e kurorëzume, këtë mbane mend. Para një jave ka ndodhë disa mosmarrëveshje, ja kom jep nashta nja dy tri shuplaka, jo më shumë. Edhe dikush e ka lajmëru Policinë. Mu shumë më njohin, kom qenë drejtor i televizionit Dardania“, tha Fejziu për Gazetën Sinjali.
Policia të njëjtin njoftoi se po e kërkon, por ky i fundit tha se është në bashkëbisedim me këtë institucion.
Fejziu tha se ky rast ka ndodhur më 9 gusht në fshatin Mogillë komuna Kllokot, por që nuk ka ndodhur rasti i dhunimit.
“Duhet me sqaru këtë lajm. Unë në Kosovë jom. Fjala dhunim është shumë e madhe. Unë jom në bashkbisedim edhe me Policinë. Gruaja është dërguar në qendrën sociale”, tha ai.
Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka kërkuar sot bashkëpunim nga qytetarët për arrestimin e një personi i cili dyshohet për veprën penale të dhunimit.
Përmes një komunikatë ata kanë kërkuar nga qytetarët që nëse kanë informacione për Sadat (Rafiz) Fejzin me banim në fshatin Mogillë të Komunës së Kllokotit, të kontaktojnë organet e rendit.
Rastet e dhunës në familje po rriten, duke rritur kështu në të njëjtën kohë pasigurinë për gratë në Kosovë.
Ngjarja tragjike që ndodhi në Ferizaj, ku një 18-vjeçare dyshohet se u vra nga dy persona, ka tronditur gjithë vendin, duke alarmuar për situatën që ndodhen gratë në Kosovë.






















































