“Lista Serbe” ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ankesën e paralajmëruar kundër votimit ndaras për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet pakicë gjatë seancës konstituive të Kuvendit.

Por, ajo që ka nxitur reagime është fakti se në këtë ankesë, “Lista Serbe” i referohet institucionit më të lartë legjislativ si “Kuvendi i Prishtinës”, një term provokues që tradicionalisht përdoret nga zyrtarët e Serbisë për të mohuar legjitimitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës.


Njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci, e ka cilësuar këtë si një provokim të qëllimshëm, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë detyrim të trajtojë ankesa të tilla derisa “Lista Serbe” të mos i drejtohet me emërtimin zyrtar Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Sipas tij, nuk duhet përjashtuar mundësia që “Lista Serbe” e ka bërë këtë me qëllim për të zvarritur procesin e konstituimit të Kuvendit.

“Pavarësisht motivit, Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë obligim të adresojë ankesa përmes të cilave përdhosen emërtimet e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Koci./Telegrafi/