Kuvendi i LDK del me konkuzione: Riorganizim total i partisë, kush nuk ndjek rregullat - përjashtohet

Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka miratuar sot një Deklaratë Politike që përcakton orientimet kryesore reformuese, organizative dhe programore të partisë, pas shqyrtimit të gjendjes politike dhe organizative të saj.
Sipas deklaratës, LDK-ja nis një riorganizim tërësor të strukturës së saj, duke u bazuar në meritokraci, angazhim të dëshmuar politik dhe funksionalitet të degëve dhe nëndegëve. Platforma e re politike dhe organizative duhet të përfundojë brenda 100 ditësh, duke parashikuar ristrukturimin e degëve dhe krijimin e mekanizmave matës për performancën politike dhe organizative.
Kuvendi ka riafirmuar parimin se asnjë anëtar nuk duhet të mbajë më shumë se një funksion partiak, përveç atyre që burojnë nga pozita institucionale. Po ashtu, është kërkuar respektimi i vendimmarrjes kolegjiale dhe i disiplinës statutare, si dhe trajtimi i çdo veprimi që cenon unitetin organizativ përmes mekanizmave statutare.
Një pjesë kyçe e reformës është formimi i një Kryesie të re statutare, forcimi i Kolegjiumit të Degëve dhe krijimi i Trupit Qeverisës të Përfaqësimit Lokal, për të harmonizuar politikat partiake me praktikat qeverisëse në nivel lokal. Kuvendi autorizon gjithashtu formimin e një Trupi Këshilldhënës, që do të ruajë kujtesën institucionale dhe orientimin strategjik afatgjatë të partisë.
Kuvendi thekson gjithashtu nevojën për Program Kombëtar Politik, i cili e pozicionon LDK-në si forcë qeverisëse dhe garantues të stabilitetit institucional dhe përgjegjësisë shtetërore. Kryetari i partisë do të ndërtojë pozicionet politike të LDK-së në konsultim me organet legjitime, ndërsa vendimet përfundimtare do të zbatohen nga të gjitha strukturat e partisë.
Deklarata përfundon duke e konsideruar këtë vendim orientues dhe obligues për veprimet politike dhe organizative të LDK-së, duke shënuar fillimin e një faze të re reformuese dhe konsoliduese për partinë në shërbim të anëtarësisë, votuesve dhe Republikës së Kosovës./Telegrafi/













































