Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Kryesia e partisë ka vendosur që Kuvendi i LDK-së të thirret më 31 janar, duke e cilësuar këtë proces si një shprehje të demokracisë së brendshme dhe jo si krizë.

Abdixhiku ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas një diskutimi të hapur dhe të përgjegjshëm në mbledhjen e Kryesisë, duke theksuar se Kuvendi është organi më i lartë i partisë ku merren vendimet më të rëndësishme, në përputhje me statutin dhe traditën demokratike të LDK-së.


“Kjo është mënyra jonë e veprimit; me rregull, me transparencë dhe me respekt për anëtarësinë. LDK i zgjidh çështjet e brendshme aty ku e kanë vendin; në organet e saj dhe para delegatëve të zgjedhur,” ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se në një klimë politike të mbushur shpesh me tensione dhe gjuhë përçarëse, LDK zgjedh qetësinë, dialogun e gjerë dhe besimin në demokracinë e brendshme, duke nënvizuar se debati është i shëndetshëm, ndërsa përçarja pa debat dhe pa demokraci është e dëmshme.

Sipas tij, Kuvendi i 31 janarit përfaqëson një mundësi për reflektim, bashkim dhe forcim të partisë. “Nuk është krizë, por mundësi për t’u dëgjuar, për t’u bashkuar rreth vlerave tona dhe për të dalë më të fortë nga ky proces,” ka shtuar ai.

Abdixhiku ka rikujtuar se LDK ka kaluar shumë sfida ndër vite, por gjithmonë ka ruajtur vlerat themelore të demokracisë, dinjitetit dhe besimit te anëtarësia. Ai ka theksuar se përgjegjësia në parti nuk shmanget asnjëherë, veçanërisht në momente të vështira.

“Në LDK nuk i ikim përgjegjësisë. Kjo shtëpi nuk është ndërtuar për rehati personale, por për shërbim dhe për përgjegjësi ndaj një ideali më të madh se secili prej nesh,” ka deklaruar Abdixhiku.

Në fund, ai ka shprehur bindjen se pas 31 janarit, LDK do të ecë përpara më e qartë, më e bashkuar dhe më e përgatitur për sfidat politike që e presin./Telegrafi/