Kushtetuesja refuzoi njëzëri kërkesën e gjyqtarit Laban për t’u përjashtuar nga vendimmarrja për konstituimin e Kuvendit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar se më 7 gusht, gjyqtari Radomir Laban – për të cilin presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se institucionet e sigurisë e konsiderojnë si rrezik për rendin kushtetues të vendit – ka kërkuar përjashtimin e tij nga shqyrtimi i rasteve që lidhen me bllokadën në Kuvend.
Sipas aktgjykimit, thuhet se kërkesa iu refuzua njëzëri.
“Më 7 gusht 2025, gjyqtari Radomir Laban kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja nga rastet KO193/25 dhe KO196/25 si dhe KO215/25. Të njëjtën ditë, Gjykata njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Laban”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.
Ndryshe, ditë më parë presidentja e vendt, Vjosa Osmani kishte tërhequr kërkesën për masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese si reagim ndaj caktimit të gjyqtarit Radomir Laban si raportues i kësaj lënde, të cilin ajo e cilësonte si figurë problematike për sigurinë e shtetit.
“Sot, në përputhje me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren përkatëse, kam tërhequr kërkesën e paraqitur më 22 korrik 2025. Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës, tashmë të konfirmuar, se si gjyqtar raportues në këtë rast është caktuar Radomir Laban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024 institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta dhe zyrtare”, kishte deklaruar Osmani. /Telegrafi/






















































