Blerim Gashani, një emër i njohur në fushën e administratës publike dhe projektet ndërkombëtare në Kosovë, është emëruar sot ministër i Sportit dhe Rinisë në Qeverinë Kurti 3.

Gashani ka një karrierë të gjatë dhe të pasur në fushën e drejtësisë, sigurisë dhe menaxhimit publik. Ai ka punuar më parë në UNMIK, EULEX dhe organizatën britanike NI-CO, ku ka menaxhuar projekte të rëndësishme në Kosovë.


Që nga 16 prilli 2021, ai shërbente si Zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ndër të tjera ka qenë Koordinator Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, Anti-Trafikimin dhe Migrimin.

Blerim Gashani, ministri i Sportit

Gashani është i njohur edhe si publicist dhe gazetar, me qindra artikuj të botuar në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, si dhe dy libra të botuar: “Vjeshtë e ngrime” (2017) dhe “Kronikë e rrënimit të Kosovës” (2020).

I lindur më 25 dhjetor 1974 në Tërstenik të Drenasit, Gashani ka përfunduar studimet për Komunikim Masiv dhe Gazetari në Universitetin AAB dhe është duke finalizuar studimet master. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Emërimi i tij vjen në një moment të rëndësishëm për sportin kosovar, ku pritshmëritë janë të larta për avancimin e infrastrukturës sportive dhe mbështetjen e talenteve të rinj në vend.

Blerim Gashani dhe Albin Kurti

Kosova mban Lojërat Mesdhetare në vitin 2030, ku 20 stadiume do të kompletohen dhe shumë palestra do të rinovohen. /Telegrafi/

telegrafi sport app