Kush do të donte të bëhej trilioner? Natyrisht, Elon Musk ...

Burimi: The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com
Kur është fjala për një marrëveshje aq të madhe pagese - aq të madhe saqë së shpejti mund ta bëjë atë të barabartë me një nga ekonomitë më të mëdha globale - Elon Musk po përballet me kundërshtime. Këtë javë, drejtuesi i Tesla-s u bë personi i parë në histori që arrin një pasuri neto prej 500 miliardë dollarësh [vlera e përafërt e 426 eurove] - dhe me fitimet e ardhshme ai mund të bëhet trilioneri i parë në botë - ekuivalenti i 1 000 miliardë dollarëve [vlera e përafërt e 852 miliardë eurove].
Kjo do ta bënte më të pasur se Belgjikën.
Një grup që përfshin SOC Investment Group - i cili synon të mbajë përgjegjës kompanitë dhe drejtuesit për sjellje joetike dhe pagesa të tepërta - fondet pensionale, sindikatat dhe disa zyrtarë të shteteve amerikane, ka hartuar një letër ku i bën thirrje investitorëve të votojnë kundër pakos së fryrë në mbledhjen e nëntorit të kompanisë. Ata gjithashtu kërkojnë që aksionerët të kundërshtojnë rizgjedhjen e tre drejtorëve që miratuan planin.
“Nga qëndrimi këmbëngulës i bordit për të mbajtur CEO-n, duket se është dëmtuar reputacioni i kompanisë, janë dhënë kompensime jashtëzakonisht të larta për drejtuesit dhe është vonuar përparimi në përmbushjen e objektivave kyçe, si vozitja plotësisht autonome”, thuhet në letër.
Dyshoj se kjo është vetëm goditja e parë në një betejë të zgjatur që ndoshta do të përfshijë edhe gjykatat - të cilat tashmë janë përfshirë në një pako të mëparshme pagash për Muskun.
Me gjasat e krijimit të CEO-së së parë trilioner në botë, Tesla duket se është e vetëdijshme se mund të përballet me një problem në fushën e marrëdhënieve me publikun. Llogaria e saj në X ka filluar të publikojë postime ku u bëhet thirrje investitorëve të ndjekin “rekomandimet e bordit për të GJITHA propozimet” - shprehje e Tesla-s, jo e imja.
Të “GJITHA” sepse dyshoj se të paktën disa aksionerë të Tesla-s do të ndihen më të prirë të votojnë kundër pakos sesa anëtarët e bordit. Drejtorët joekzekutivë paguhen për të mbikëqyrur menaxhimin në emër të aksionerëve. A ka dikush që mund të argumentojë bindshëm se ata të Tesla-s po e bëjnë këtë siç duhet? Megjithatë, është shumë e rrallë që drejtorët të përballen me vota të rëndësishme kundër rizgjedhjes së tyre. Mospajtimi lidhur me pakot e kompensimit është më i zakonshëm.
Taktikat e Tesla-s duken manipuluese. Merrni si shembull postimin ku është “Kiyoko”, një punonjëse tërheqëse dhe simpatike e Tesla-s me 12 vjet përvojë. E shohim duke buzëqeshur në dyshemenë e fabrikës, dhe të intervistuar në një kolltuk të rehatshëm ku flet me pasion për kompaninë ndërsa shpjegon se si i përdori “aksionet e fituara me mund nga Tesla” për të blerë një shtëpi të re.
Ideja që përpiqet të përcjellë postimi është se nuk është vetëm Eloni ai që përfiton nga shpërblimet në aksione. Edhe njerëzit e vegjël përfitojnë diçka. Edhe për ta ka disa thërrime të arta në tryezë!
Mirë për Kiyokon. Vetëm shpresoj që t’ia dalë edhe në valën e ardhshme të shkurtimeve të kostove, kur drejtuesit e Tesla-s me gjasë do të injorojnë çmimin që paguhet për të pasur një CEO të famshëm.
Letra me të drejtë thekson problemin kryesor të kësaj kompanie: bordin që duket se beson se Tesla është Eloni dhe Eloni është Tesla. Kiyoko nuk ka rëndësi. As kolegët e saj - inxhinierët, të rinjtë e talentuar, madje as drejtuesit e tjerë. Biznesi është një sport skuadre, por Tesla kërkon që ne të besojmë se është shfaqje e një njeriu të vetëm. Përkushtimi ndaj Muskut ka marrë tashmë përmasa gati kulti.
Po ku e ka çuar ky devocion Tesla-n? Shitje të paqëndrueshme, të paktën në Evropë, dhe një çmim aksionesh që ngjitet dhe bie si një rolokaster. Aksionet u rritën pasi Musku shpenzoi nga xhepi i tij plot një miliard dollarë për të blerë një sasi aksionesh - një veprim të cilin tregjet e interpretuan si shenjë besimi për të ardhmen e Tesla-s.
Kompania gjithashtu njoftoi një numër rekord shpërndarjesh automjetesh në tremujorin e tretë të vitit 2025. Megjithatë, kjo ndodhi pjesërisht për shkak të skadimit të një kredie tatimore në ShBA, çka bëri që blerësit të nxitojnë të përfitojnë përpara se të mbarojë. Se si do të jenë shitjet pa këtë nxitje, mbetet për t’u parë. Do të sugjeroja që aksionarët ta lidhin fort rripin e sigurisë për atë që mund të vijë.
Argumenti kryesor i bordit për shpërblimin e Muskut është se Tesla do të duhet të arrijë objektiva “gjithëpërfshirëse” (një fjalë që përdoret shpesh kur bëhet fjalë për pakot e CEO-ve) për të marrë gjithë shumën e paguar në aksione. Përmbushja e tyre do të përbënte vërtet një arritje të madhe. Musku do të duhet të mbikëqyrë shitjen e një milion robotëve me inteligjencë artificiale, 12 milionë makinave Tesla dhe të rrisë tetë herë vlerën e tregut të kompanisë.
Nëse e kthen çdo 1 dollar të investuar në 8 dollarë, për çfarë duhet të shqetësohen aksionarët? Për këtë: atyre po u kërkohet ta dorëzojnë kompaninë e tyre - dhe ajo është kompania e tyre.
Nuk mjafton që Musku tashmë ka një pjesë të konsiderueshme, e cila gjithashtu do të ishte rritur tetë herë nëse ai ia del. Shefi i Tesla-s është ankuar vazhdimisht për mungesën e kontrollit mbi Tesla-n dhe bordi është pajtuar me këtë. Kjo pako do ta rriste pjesën e tij nga 16 për qind në 25.
Gjithë kjo për një punë me kohë të pjesshme. Musku aktualisht po menaxhon më shumë pjata sesa ruhen në kuzhinat e hotelit më të madh të Nju-Jorkut. Përveç drejtimit të Tesla-s, është edhe SpaceX dhe bizneset e tij të tjera. Ai është pronar i X-it dhe ka nisur një karrierë të dytë si aktivist politik dhe influencer në rrjetet sociale në këtë platformë.
Dalja e tij më e fundit në luftërat kulturore është thirrja për bojkot ndaj Netflix-it - përkitazi me përmbajtjen e tij. Pyetja që nuk e kam parë të shtrohet, në mes të debatit të nxehtë që pasoi, është kjo: si ka mundësi që Elon Musku ka abonim në Netflix? Ku e gjen kohën për ta përdorur atë? Ky njeri ka cicërima të zemëruara për të shkruar ...
Sigurisht, problemi më i madh me këtë absurditet është, efekti që do të ketë mbi pakot e tjera të CEO-ve. Ata pa dyshim do të trokasin në dyert e bordeve të tyre për të kërkuar diçka të ngjashme. Dhe, ata nuk janë të gjithë super-yje. Janë shumë larg kësaj.
Është koha që aksionarët të përballen me realitetin: sido që ta shohësh, kjo nuk është në interesin e tyre. Nuk është aspak në interesin e Tesla-s si kompani, duke qenë se do të ketë jetë edhe pas Musk-ut.
Është koha që ata të bashkohen me nënshkruesit e letrës dhe të votojnë kundër. Është çështje e hapur nëse një numër i mjaftueshëm prej tyre do ta bëjnë këtë për të shkaktuar probleme. Kjo nuk do të ishte pakoja e parë e çmendur që ata kanë mbështetur. /Telegrafi/




















































