Kurtishi: Kujdesi dhe kontrolli i hershëm, mbrojtja më e mirë kundër kancerit të gjirit

Në podcastin e radhës “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, onkologu Ilir Kurtishi ka folur gjerësisht për sfidat, përparimet dhe rëndësinë e vetëdijesimit në luftën kundër kancerit të gjirit.
Kurtishi tha se përvoja e tyre tashmë disavjeçare ka bërë që sot të jenë më profesionalë, më agilë dhe më të kujdesshëm në trajtimin adekuat të këtyre sëmundjeve.
- YouTube www.youtube.com
Ai nënvizoi se, krahas sëmundjeve të zemrës, kanceri mbetet një nga problematikat më të mëdha shëndetësore globale, me pasoja të rënda për pacientët dhe sistemet shëndetësore.
Sipas tij, momenti kur një pacient diagnostikohet me një sëmundje të tillë është shumë i ndjeshëm dhe kërkon mbështetje të plotë — mjekësore, emocionale dhe sociale.
“Pacienti duhet të monitorohet dhe të menaxhohet në mënyrën më të mirë të mundshme, duke e përkrahur, duke trajtuar dhe duke e sfiduar sëmundjen”, shtoi ai.
Duke iu referuar muajit tetor, i njohur globalisht si “Muaji Rozë”, Kurtishi kujtoi se fushatat për ndërgjegjësim kanë filluar që nga vitet 1980, falë angazhimit të shoqërisë civile në SHBA dhe Evropë.

“Këto fushata kanë pasur qëllim sensibilizimin, grumbullimin e fondeve për trajtime dhe, mbi të gjitha, diagnostikimin e hershëm të sëmundjes”, tha ai.
Kurtishi theksoi se diagnostikimi i hershëm është çelësi për suksesin në trajtim.
“Në rastet kur sëmundja zbulohet në fazën zero ose të parë, mundësitë e shërimit janë shumë të larta”, u shpreh ai.
Onkologu vlerësoi se Kosova ka bërë përparim të ndjeshëm në trajtimin e pacientëve me kancer gjiri gjatë pesë-gjashtë viteve të fundit.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/


















































