Kurti: Zbulimi në Ulpianë dëshmon lidhjen e perandorit Justinan me Dardaninë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se zbulimi i mbishkrimit monumental në Ulpianë dëshmon lidhjet e perandorit Justinian me vendin e origjinës së tij, Dardaninë.
Kurti ka shkruar në platformën “X” se zbulimi i mbishkrimit të perandorit Justinian në Ulpianë është po ashtu dëshmi e bashkëpinimit të suksesshëm ndërkombëtar.
"Në rrënojat e qytetit romak Ulpiana, jo shumë larg Prishtinës, arkeologët e Kosovës dhe të Francës kanë zbuluar një mbishkrim të perandorit Justinian (527-565), dëshmi të rralla të lidhjes së tij me Dardaninë, vendin e tij të origjinës - dhe dëshmi e bashkëpunimeve të suksesshme ndërkombëtare”, ka shkruar ai.
Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se zbulimi i mbishkrimit monumental në Ulpianë zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë.
“Ulpiana është një udhëtim nëpër kohë që zbulon thesaret e fshehura të së kaluarës sonë. Çdo gërmim zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë.
Nga Mbretëria e Dardanisë e deri te Perandori Justinian janë shekuj të trashëgimisë sonë të prekshme, e cila ndërlidhë të tashmen tonë me të kaluarën e largët.
Zbulimet e fundit në Ulpianë (Justiniana Secunda), paraqesin evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë dhe dardanëve gjatë Antikitetit të vonë-Mesjetës së hershme”, ka shkruar Osmani.




















































