Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar se sonte pritet të jetë një natë kritike sa i përket qarkullimit rrugor në Kosovë, për shkak të rënies së theksuar të temperaturave.

Sipas tij, kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9 gradë Celsius, rrit rrezikun në trafik, pasi rrugët e lagura nga reshjet e shiut mund të ngrijnë gjatë natës.


Kurti ka bërë të ditur se të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren për të lehtësuar qarkullimin dhe për të parandaluar aksidentet.

Ai ka theksuar se është i domosdoshëm zbatimi i ligjit për sezonin dimëror, përfshirë pajisjen e automjeteve me goma dimërore dhe zinxhirë.

Kryeministri në detyrë u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë natës, ndërsa ata që janë të detyruar të qarkullojnë, të vozisin me kujdes të shtuar dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike.

Sipas Kurtit, institucionet po bëjnë maksimumin për të garantuar sigurinë në rrugë, por kërkohet edhe bashkëpunimi i qytetarëve për të ulur rrezikun dhe për të rritur sigurinë e përgjithshme./Telegrafi.