LAJMI I FUNDIT:

Kurti priti në takim një delegacion nga Austria, flasin për pandeminë COVID-19 dhe ekonominë

Kurti priti në takim një delegacion nga Austria, flasin për pandeminë COVID-19 dhe ekonominë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim një delegacion nga Austria, të cilit i prinin deputetët nga Partia Popullore e Austrisë, Martin Engelberg dhe Carmen Jeitler-Cincelli, njëherësh kryetare e Grupit parlamentar të miqësisë Austri-Kosovë.

Deputetët austriakë u interesuan për situatën me pandeminë dhe ndikimin e saj në ekonomi, dhe shprehën gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes për Kosovën.

Kryeministri Kurti u shpreh falënderues për ndihmën që Austria i ka dhënë ndër vite popullit të Kosovës dhe për rëndësinë që ka për vendin intensifikimi i bashkëpunimit sidomos në fushën e arsimit.


Ai tha se punësimi dhe reformat në drejtësi kanë qenë premtim i fushatës zgjedhore.

“Për të krijuar vende pune ne na duhen investime”, tha kryeministri dhe shprehu shpresën se Austria si investitori i katërt më i madh do të vazhdojë investimet në Kosovë, së bashku me mërgatën kosovare në Austri.

Në njoftim thuhet se në veçanti, kryeministri kërkoi mbështetjen austriake në zhvillimin e sistemit dual të edukimit. /Telegrafi/