Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas sulmit tragjik me armë zjarri që ndodhi në një shkollë në Graz të Austrisë, duke shprehur ngushëllimet e tij për viktimat dhe solidaritetin me popullin austriak.

Përmes një postimi në platformën X, Kurti theksoi të drejtën e çdo njeriu për siguri dhe një ambient të sigurt për të mësuar, larg frikës dhe kërcënimeve.


“Jemi thellësisht të tronditur nga sulmi tragjik në një shkollë në Graz. Çdokush ka të drejtën themelore për siguri dhe për një ambient ku mund të mësojë pa frikë dhe kërcënim. Në emër të popullit dhe qeverisë së Kosovës, i shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta familjeve të prekura dhe solidaritetin tonë me popullin e Austrisë”, ka shkrua Kurti.

Një vajzë nga Kosova është në mesin e të vrarëve nga të shtënat në një shkollë në Grac të Austrisë

Lea Bajrami është në mesin e nëntë personave të vrarë në një shkollë të mesme në Grac të Austrisë, pasi një 21-vjeçar hapi zjarr.

Sulmuesi i dyshuar, ish-nxënës i kësaj shkolle, më pas ka vrarë veten teksa qëndronte në një tualet të kësaj shkolle, thanë autoritetet.

Kancelari austriak, Christian Stocker, tha se kjo është një "ditë e errët në historinë e shtetit tonë", teksa shtoi po ashtu se do të shpallen tri ditë zie.

I dyshuari kishte përdorur një armë të gjatë dhe një pistoletë, thanë zyrtarët policorë gjatë një konference për media më 10 qershor, duke shtuar se ende janë duke e hetuar motivin e këtij sulmi. /Telegrafi/