Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Bashkësinë Islame të Kosovës gjatë një bisede me Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, ka diskutuar mbi sfidat aktuale.

Kurti tha se gjatë kësaj pranvere vendi po përballet me dy sfida.


“Provokimet rreth kufirit po shtohen... Përshtypja jonë është që vjen nga dy dëshpërime. I pari është që nuk kanë një strukturë të brendshme... Dhe dëshpërimi i dytë është se e kanë kuptuar se nuk mund ta mbajnë peng krejt rajonin për integrime në Bashkimin Evropian.

Pra, Brukseli si kryeqytet i dyfishtë, i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, po thotë kush dëshiron të vijë do t’i krijohen shanset, por duhet t’i bëhen detyrat e shtëpisë. Kush nuk dëshiron të vijë nuk mund t’i pengojë të tjerët dhe kjo i ka acaruar shumë serbët sepse ata e kanë pas privilegjin që pa neve nuk mund të shkonin askund. Kjo është një dëshpërim i dyfishtë”, tha ai.



Ai u ndal edhe te ngritja e çmimit të naftës

“Sfida e dytë është që luftërat që nisën nuk përfunduan, por nisën ato të rejat dhe këto tash po e bëjnë çrregullimin e zinxhirit të furnizimit. Kemi folur me ministrin e Financave dhe ministren e Tregtisë që të përgatiten sa më mirë, sepse çmimet e naftës dhe produkteve tjera po rriten”, tha ai.

Në këtë takim u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe rolin e institucioneve fetare në ruajtjen e stabilitetit shoqëror.