Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 26-vjetorin e natës së 3 dhe 4 shkurtit 2000, kur forcat policore të Serbisë, në bashkëpunim me grupin paraushtarak kriminal të njohur si “Rojet e urës”, kryen spastrim etnik në pjesën veriore të Mitrovicës, duke dëbuar me dhunë mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre.

Sipas Kurtit, nën kërcënimin e armëve dhe vdekjes, shqiptarët u detyruan të largohen drejt jugut të lumit Ibër, ndërsa gjatë këtij aksioni kriminal u vranë 10 qytetarë shqiptarë dhe u plagosën 25 të tjerë.


Ai përmendi edhe emrat e viktimave të asaj nate tragjike, nga mosha 13 deri në 65 vjeç.

Kryeministri në detyrë theksoi se spastrimi etnik në Mitrovicë ndodhi vetëm shtatë muaj pas çlirimit të Kosovës, në një periudhë kur në vend ishin të pranishme forcat paqeruajtëse dhe administrata ndërkombëtare.

Megjithatë, gjatë shkurtit të vitit 2000, përmes strukturave të saj të sigurisë, Serbia arriti të dëbojë nga Mitrovica 1.564 familje shqiptare, me gjithsej 11.364 anëtarë.

“Edhe sot, 26 vjet më pas, drejtësia për këtë krim mbetet e paplotë”, theksoi Kurti, duke shtuar se viktimat dhe familjet e dëbuara vazhdojnë të përballen me pasojat e rënda të humbjeve dhe dëmeve të pësuara.

Ai vuri në pah se për më shumë se dy dekada, mijëra shqiptarë të dëbuar nga Mitrovica nuk kanë mundur të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre, ndërsa kthimi ka filluar vetëm vitet e fundit, pas shtrirjes së sovranitetit, sundimit të ligjit dhe kontrollit institucional në veri të vendit.

Sipas tij, gjatë katër viteve të fundit janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 150 shtëpi në katër komunat veriore, ndërsa si shembull përmendi rastin e Mustafë Behramit, i cili në vitin 2024 u kthye për të jetuar me familjen në shtëpinë e ndërtuar nga Qeveria e Kosovës.

Kurti theksoi se sot, ndryshe nga viti 2000, Mitrovica është qytet ku jetojnë së bashku qytetarë të të gjitha komuniteteve, nën angazhimin e institucioneve për barazi, ligjshmëri dhe sundim të ligjit.