LAJMI I FUNDIT:

Kur Enver Hoxha kërcënonte britanikët: Ju pret gjyqi partizan!

Kur Enver Hoxha kërcënonte britanikët: Ju pret gjyqi partizan!

Nga dita në ditë ndryshonte marrëdhënia e Enver Hoxhës me përfaqësuesit e britanikëve që ndodheshin në Shqipëri në fund të Luftës. Misioni Britanik dhe oficerët e tij vëzhgoheshin me kujdes prej drejtuesve komunistë, sa herë ata takoheshin apo bashkëpunonin me forcat e Legalitetit apo të Ballit Kombëtar. Korrespodenca e Luftës shënon qindra momente të përplasjeve, të komunikimeve të vështira, bisedimeve, marrëveshjeve, negociatave për marrje ndihmash e armatimesh etj. Por, Hoxha kërkonte me çdo kusht që aleatët të njihnin etëm Ushtrinë Nacionalçlirimtare me brigadat partizane që udhëhiqte ai e jo forcat e tjera nacionaliste si Legaliteti apo Balli Kombëtar.

undi i verës 1944 do të ishte pika kulmore e presioneve të Enver Hoxhës në Shtabin Aleat në Bari, përmes delegacionit që kishte dërguar atje që në muajin korrik 1944. Bedri Spahiu, që e udhëhiqte këtë delegacion, shkëmben në gusht të vitit 1944 një varg telegramesh me Hoxhën, komunikim që zbulon tentativat e qarta të tij për të synuar, përmes aleatëve, të merrte ekskluzivisht frerët e pushtetit në Shqipëri – menjëherë pas Luftës.


Telegramet që ruhen në një dosje të veçantë në Arkivin e Qendror të Shtetit, trajtojnë pothuajse të gjithë çështjet në të cilat angazhohej dhe kishte interes Shtabi i Përgjithshëm dhe vetë Enver Hoxha.

Më poshtë janë telegramet e këmbyera mes Enver Hoxhës dhe Bedri Spahiut, i cili ndodhej në Bari për të arritur një marrëveshje me britanikët për furnizimet me armatime e materiale të tjera, si dhe për të ndikuar që britanikët të kishin në fokusin e tyre të marrëdhënieve në Shqipëri vetëm komunistët.

Telegrami i parë dërgohej nga Enver Hoxha.

“No. 5 d.21.VIII-44

Bedri – Konditat e Englezve nuk janë aq të favorshme sa të insistoni me këmbë ngulje. Prerja e mardhanjeve s’ësht e mirë. Duhet në radhë të parë të ruhet indipendenca e Shtabit. Duhet që të bëni të pranohen këto kondita: Një pjesë e materialit shpërndahet prej Shtabit të Përgj. atje ku e lypë strategjija dhe taktika e tij, pjesa tjetër shpërndahet prej Shtabit duke u konsultuar Palmeri. Aksionet e caktuara të cilat pasi t’i ketë studiuar Shtani i Përgjithshëm dhe t’i ketë gjetur të mundëshme do të kryhen. Këtu vendosë vetëm Shtabi Përgjithshëm.

Kërkoni në një mnyrë insistimi që ata të heqin misionet nga Bazi dhe tradhtarët e tjerë. Vetëm në kët mënyrë do të fitohet besimi në mes nesh në mnyrë komplete. Këjo s’duhet të jenë shkake i prerjeve të mardhanjeve. Mos pranoni diskutime të gjata mbi këtë pikë. Kërkoni që të vejë mision ushtarak aty: Baca ku gjendet.

Enver”. (sic.)

Pesë telegrame dërguar nga Bedri Spahiu për Enver Hoxhën janë si më poshtë:

“No.1. 30.VII-44

Në bisedime të gjata pranuam objektivat ushtarake që u paraqitën prej tyre dhe shtat misionet ushtarake. Dot kemë ç’do muaj 164 ton material me ajr dhe me det. Sasia e materialit ndryshohet simas situatës armikut.

Bedri”. (sic.)

“No.2. 30.VIII-44

Kërkojnë që shpërndarja e materialit të bahet në konsultim me Palmerin, ose të mos përmendet fare në aktin e marrveshtjes qështja e shpërndamjes. Nuk pranuam kërkesën e tyre tue thanë se shtabi shpërndanë vetë materialin. Pezulluam bisedimet. Presim udhëzime.

Bedri”. (sic.)

“No.3. datë 18.VIII-44

Tri pikat e juaja nuk pranohen prej englezve. Ata insistojnë për konsultim Palmerin dhe ndryshimi i sasisë materialit simbas materialit disponibël dhe situatës armikut. Për ndryshe ato dot luftojnë gjermanët në Shqipëri tue u bazue n’informatat që japin oficerat anglezë te ne dhe te reaksioni dhe nuk do përkrahin kërkesën për delegasion permanent t’onin n’Itali. Ne mejtojmë kështu:

1) Nuk asht n’interesin tonë të presim mardhanjet.

2) Duhet të bajmë që forcat t’ona të marrin material sa ma tepër pamvarsisht me vendin ku hidhet. 3) Dërgimi materialit lidhet ngusht me besimin që kan ata tek na.

4) Këjo mosmarrveshtje e ka dëmtuar besimin reciprok.

5) Ata praktikisht kan mundësi ta pengojnë dërgimin e materialit dhe sikur të pranojnë gjith konditat t’ona. Për këto dhe arsyena tjera na ngulim këmbë që të na autorizoni të përfundojnë marrveshtjen me konditat e anglezve. Këjo nuk damton luftën t’onë. Përndryshe bashkëfjalimet priten dhe na kthehemi pa përfunduar, përsërisim, këjo nuk kishte me qenë në favorin t’onë. Të gjitha gjanat nuk mund t’i shpjegojmë me radiogram. Presim përgjigje urgjent dhe konkrete.

Bedri”. (sic.)

No.4. 19.VIII-44

Englezët ankohen se kan dërguar material dhe ju nuk keni goditur Qafë Thanën Barmashin.

Bedri”. (sic.)

“No.5. 29.VIII-44

Gjeneralit Hoxha

Aleatët komunikuan radiogramin e poshtëshënuar marrun nga Kap. Shijen:

Sonte u takova me Hoxhën. Aj tha se Maklean Smily dhe Seymoure ishin tue punuar kundër partizanve me kolaborasionistat. Hoxha kërkon që ata të largohen nga Shqipërija ose t’i dorzohen partizanvet për me u dërgue në Itali brenda pes ditve prej sonte. Për ndryshe patrulla partizane po dërgohen me i zanë dhe me i prumun për t’u gjykuar nga nji gjygjë ushtarak partizan. Hoxha deklaroj se nuk i konsideronte këta ma si oficera aleat nga qëndrimi që mbajnë dhe se i konsideronte si axhent të reaksionarvet të huaj tue organizuar luftën kundër partizanvet. Besojmë se ky radiogram asht rezultati i nji keqkuptimi. Aleatët na porositën t’ju komunikojmë sa vijon.

1) S’pari dhe kryesisht duhet të bëhet e kartë në mndyrë absolute dhe pa ekuivoke Gjeneralit Hoxha se nuk mund të shtrohesh çështja në asnjë mënyrë që ne të tolerojshim një kërkesë nga ana e tij për tërheqjen e oficerave ndërlidhës aleat dhe ca më pak që aj t’i zinte këto me forcë dhe t’i gjykonte nga një gjykatore partizane.

2) Në dritë të marrveshtjes të posa firmuar, Gjeneral Kolonel Hoxhës i kërkohesh që të hiqte me nji herë si akuzat dhe kërcnimin e tij dhe i kërkohesh që t’u jepte një sigurim të plotë se aj nuk kishte me veprue kursesi kundër personelit Britanik në Shqipëri. Ju nuk jeni në korent të marrëveshjes të përzemërt që kemi konkluduar këtu.

Prandaj në qoftë se përmbajtja e radiogramit të kapitenit Shijen asht identike ju quajeni të pa paraqitur kërkesën tuaj deri sa të vimë ne aty për të biseduar gjatë e gjanë ne nisemi me nji herë.

Na jemi të bindur se me paraqitjen e marrveshtjes që kemi konkluduar këtu çështja do të zgjidhet në mënyrën më të drejtë për kauzën e përbashkët.

Bedri. (sic.) /tesheshi/