Ku është gruaja e ish-shefit të "Astronomer" që u kap në aferën e famshme? Ajo thuhet se është larguar nga shtëpia e tyre dy milionë euroshe pa lënë gjurmë

Megan Kerrigan Byron, bashkëshortja e ish-drejtorit ekzekutiv të kompanisë "Astronomer", Andy Byron, është larguar nga shtëpia e tyre me vlerë 2.4 milionë dollarë (dy milionë euro) në Northborough, Massachusetts, dhe është zhvendosur në një rezidencë luksoze në Kennebunk, Maine – rreth 170 kilometra larg.
Ky largim ndodhi vetëm pak ditë pasi në rrjet u shpërnda një video nga një koncert i Coldplay, ku bashkëshorti i saj, Andy, dhe drejtuesja e burimeve njerëzore në të njëjtën kompani, Kristin Cabot, u kapën në një moment intim në ekranin gjigant të vendosur mbi skenë.
Sipas “Daily Mail”, Megan është “shpërngulur” nga shtëpia familjare dhe po përpiqet të “qëndrojë larg vëmendjes publike” gjatë qëndrimit në Kennebunk. Në këto momente të vështira, thuhet se ajo po mbështetet nga disa anëtarë të afërt të familjes, përfshirë motrën e saj të madhe, Maurën. Megan dhe Andy Byron kanë dy djem së bashku.
@edwinxfxng 😛➡️🙈#coldplay #boston #andybyron #fyp
Ndërsa videoja vazhdon të qarkullojë në rrjetet sociale – duke kapur mbi 125 milionë shikime – Megan deri tani nuk ka komentuar publikisht dhe nuk ka lëshuar asnjë deklaratë zyrtare.
Megjithatë, disa veprime të saj në rrjetet sociale flasin për reagimin e saj emocional: fillimisht hoqi mbiemrin “Byron” nga profili i saj në Facebook, dhe më pas e çaktivizoi tërësisht llogarinë. Profili i saj më parë përmbante shumë fotografi nga jeta personale, përfshirë pushime familjare dhe festa si matura e njërës prej djemve.
Ndërkohë, kompania Astronomer ka zhvilluar një hetim të brendshëm, pas të cilit Andy Byron dha dorëheqje, e cila u pranua nga bordi drejtues. Si drejtor i përkohshëm ekzekutiv është emëruar bashkëthemeluesi i kompanisë, Pete DeJoy. /Telegrafi/





























































