Komuna e Malishevës i është bashkuar fushatës nacionale “Mos hesht”, e cila synon parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore dhe ngritjen e vetëdijes qytetare për këtë fenomen.

Fushata, e cila do të zhvillohet në bashkëpunim me institucionet lokale dhe shkollat e komunës, ka për qëllim informimin e të rinjve për format e trafikimit, mënyrat e mbrojtjes dhe rrugët ligjore për të kërkuar ndihmë.


Brenda aktiviteteve parashihen orë mësimore me temën “Mbrojtja dhe Parandalimi nga Trafikimi me Qenie Njerëzore”, që do të mbahen nëpër shkollat e komunës.



Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka përkrahur fuqishëm nismën, duke ofruar mbështetje të plotë institucionale për realizimin e fushatës. Gjatë takimit me koordinatoren për të drejta të njeriut dhe barazi gjinore, Vera Bytyçi, bartëse e fushatës, Halit Mazrekun, koordinator i KKSB-së, dhe Sabit Berishën, ushtrues detyre i drejtorit të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin e këtij fenomeni.

“Parandalimi i trafikimit me qenie njerëzore është përgjegjësi e përbashkët. Si komunë, jemi të përkushtuar të mbështesim çdo iniciativë që synon mbrojtjen e qytetarëve tanë, veçanërisht të rinisë. Vetëdijesimi dhe edukimi janë armët më të forta kundër këtij fenomeni”, u shpreh kryetari Kastrati.

Fushata “Mos hesht” do të vazhdojë gjatë ditëve në vijim në disa institucione arsimore dhe publike të komunës, përmes ligjëratave, diskutimeve dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese që synojnë inkurajimin e raportimit të rasteve të dyshimta dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. /Telegrafi/