Karateistët nga Gjilani kanë shënuar edhe një herë sukses në arenën ndërkombëtare, këtë herë në Kampionatin Evropian për Seniorë, që u mbajt nga 7 deri më 11 maj 2025 në Yerevan të Armenisë.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka uruar ekipin dhe në veçanti sportistët gjilanas për suksesin e arritur.


“Garueset nga Gjilani përsëri në podium. Vajzat e Kombëtares së Kosovës na emocionuan me paraqitjen e tyre të jashtëzakonshme në Kampionatin Evropian, duke siguruar vendin e tretë dhe medaljen e bronztë”, tha Hyseni.

Ai shprehu krenarinë e veçantë për Fortesa Oranën dhe Vlera Qerimin, që me përkushtimin dhe talentin e tyre ngritën lart emrin e Gjilanit. Po ashtu, ai përgëzoi edhe karateistin Betim Maliqi për medaljen individuale.

“Çfarë emocione! Betim Maliqi na bëri jashtëzakonisht krenar duke i sjellë medalje Gjilanit dhe Kosovës. Falë jush, flamuri ynë valoi me krenari në Evropë. Faleminderit kampionë!”, ka përfunduar Hyseni.

Ndryshe, pjesë e përfaqësueses së Kosovës ishin edhe katër sportistë nga Gjilani: Fortesa Orana (kapitene e ekipit, +68 kg), Vlerë Qerimi (-68 kg), kampioni Betim Maliqi (-75 kg), si dhe trajneri gjilanas Agron Tosuni. Kosova arriti të zërë vendin e tretë në Evropë, duke fituar medaljen e bronztë, ndërsa Betim Maliqi u shpërblye me medalje individuale në kategorinë e tij. /Telegrafi/

telegrafi sport app