Kryetari i Drenasit del kundër PDK-së, formon subjekt të ri “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”

Kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka formuar një subjekt të ri politik lokal, me emrin “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin” (PDKRLl).
Ky veprim vjen si pasojë e pakënaqësisë me mënyrën se si është menaxhuar procesi i vendimmarrjes për kandidaturën e PDK-së për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Drenas.
Sipas themeluesve të subjektit të ri, vendimi për të zëvendësuar Ramiz Lladrovcin, i cilësuar si kryetari më i suksesshëm në historinë e qeverisjes lokale në Kosovë, është bërë në mënyrë jo transparente dhe pa respektuar normat demokratike brenda partisë.
“Vendimi i Kryesisë së emëruar nga udhëheqësi aktual i PDK-së, pa një proces të brendshëm zgjedhor dhe në mungesë të përgjegjësisë e integritetit, përbën një shkelje të rëndë të vlerave me të cilat është identifikuar PDK-ja ndër vite.”
Lladrovci deklaroi se nuk është duke u larguar nga PDK-ja si frymë politike, por janë të vendosur që të mbrojnë interesin qytetar të Drenasit dhe të ruajnë trashëgiminë e qeverisjes së mirë, siç e cilësojnë periudhën nën drejtimin e Lladrovcit.
“Kjo iniciativë nuk është kundër PDK-së, por është për ta mbrojtur Komunën e Drenasit nga ndikimet keqbërëse, për ta ruajtur vlerën e meritokracisë, transparencës dhe qeverisjes me duar të pastra”, thuhet në deklaratë.
Subjekti i ri PDKRLl do të garojë vetëm në zgjedhjet komunale për kryetar dhe për asamble komunale në Drenas.
Themeluesit bëjnë thirrje që të gjithë qytetarët që ndajnë të njëjtat bindje për një Drenas të zhvilluar, të pastër dhe të drejtuar me integritet, t’u bashkohen në këtë garë.


















































