Kryeprokurori i Shtetit: Është e domosdoshme të jemi më proaktivë në hetimin e korrupsionit

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi në konferencën vjetore të prokurorëve theksoi se vitet që po lëmë pas, sistemi i drejtësisë, përfshirë sistemin prokurorial, është përballur me sfida të mëdha.
Ai theksoi se mosaprovimi i kërkesave buxhetore për plotësimin e nevojave institucionale, veçmas për rritjen e numrit të prokurorëve, ka kufizuar punën e Prokurorit të Shtetit, por edhe të gjyqtarëve, e me këtë edhe një drejtësi efikase, edhe pse sipas tij, qytetarët, me të drejtë, presin që rastet e tyre të trajtohen me kohë dhe brenda afateve të parapara ligjore.
“Është koha e fundit që institucionet kompetente të mendojnë shumë seriozisht për krijimin e kushteve për punë më efikase në prokurori dhe gjykata, sepse drejtësia e vonuar nuk është drejtësi; përkundrazi, një drejtësi e vonuar vetëm sa paraqet shkaqe dhe arsye për zhgënjim dhe rritje të kriminalitetit dhe dëmtim të rëndë të të drejtave të njeriut.
Mungesa e prokurorëve në raport me numrin e lëndëve të grumbulluara që nga koha e UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe numri i madh i rasteve të reja të pranuara në punë janë sfidat më të mëdha të Prokurorit të Shtetit, sepse nuk mund të vazhdohet më tutje gjendja në të cilën një prokuror, brenda një dite, të përfaqësojë në gjykatë një numër të lartë të aktakuzave, shumica e të cilave janë punuar nga kolegët e tjerë prokurorë. Ndërkaq, ai që i përfaqëson ato aktakuza, mund të mos jetë fare i njoftuar për rrjedhën e hetimeve dhe provat që duhet t’i prezantojë në gjykim”, thekoi Kelmendi.
Ai tha tutje se pasojat e numrit të pamjaftueshëm të prokurorëve po i vuajnë qytetarët dhe gjyqtarët, të cilët, me të drejtë, i caktojnë seancat gjyqësore, mirëpo, për shkak të mungesës së arsyeshme të prokurorëve, nuk mund t’i mbajnë ato seanca.
“Nëse prokurorët janë të detyruar që çdo ditë të marrin pjesë në seancat gjyqësore, shtrohet një pyetje e thjeshtë: kur ata prokurorë mund të kryejnë hetimet e atyre rasteve që i kanë në punë, ose, thënë ndryshe, çfarë cilësie mund të kenë hetimet nëse prokurorët nuk e kanë asnjë ditë të lirë nga seancat gjyqësore për të kryer hetimet bazuar në cilësi dhe afate të arsyeshme ligjore”, tha ai.
“Edhe pse jemi duke u ballafaquar me sfida të shumta, konsideroj se institucioni i Prokurorit të Shtetit ka arritur efikasitet të lartë në punën e vet. Gjatë vitit 2024 janë pranuar në punë 50,681 kallëzime-lëndë penale, ndërsa janë zgjidhur 45,481 kallëzime – lëndë penale ose 90% të rasteve të pranuara. Ndërsa, gjatë nëntëmujorit të këtij viti, Prokurori i Shtetit ka zgjidhur apo përfunduar 92.52% të rasteve të pranuara në punë’.
Sipas tij, gjatë vitit 2024, norma e zgjidhjes së lëndëve nga Prokurori i Shtetit sipas indikatorëve të CEPEJ-it, ka shënuar ngritje pozitive.
“Përderisa në vitin 2023 Prokurori i Shtetit kishte kryer 81% të rasteve të pranuara, në vitin 2024 ka kryer 90% të rasteve të pranuara. Këtu dua të veçoj Departamentet e Krimeve të Rënda, sepse në vitin 2024 kanë kryer 95% të rasteve të pranuara, në krahasim me 89% që kishin kryer në vitin 2023.
Një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe trajtimit të rasteve të korrupsionit dhe krimit ekonomik. Gjatë vitit 2024, Prokurori i Shtetit ka pranuar në punë kallëzime penale kundër 2,554 personave, ndërsa ka zgjidhur kallëzimet penale për 1,836 persona apo 75%.
Ndërsa për nëntëmujorin e këtij viti, në rastet e korrupsionit ka zgjidhur 648 raste ose 75.35%, respektivisht 1,173 persona dhe për rastet e krimit ekonomik janë zgjidhur 267 raste me 332 persona ose 81.40% në raport me rastet e pranuara”.
Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi tha se është e domosdoshme të jenë më proaktivë në hetimin e korrupsionit, veçanërisht të atij të nivelit të lartë, pasi efektet e këtij fenomeni kanë pasoja të rënda dhe rrezikojnë drejtpërdrejt proceset integruese.
“Korrupsioni dëmton besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore, pengon zhvillimin ekonomik dhe minon përpjekjet për fuqizimin e sundimit të ligjit. Prandaj kemi detyrim kombëtar dhe profesional të veprojmë me vendosmëri, integritet dhe guxim që askush të mos jetë mbi ligjin dhe që drejtësia të jetë e barabartë për të gjithë”, tha ai.
Sipas tij, për veprat penale të krimit të organizuar, gjatë vitit që lamë pas, prokurorët e shtetit që punojnë në PSRK kanë treguar sukses të mirë, sepse kanë pranuar në punë 18 raste me 63 persona, ndërsa kanë zgjidhur 18 raste me 207 persona, ndërsa në nëntëmujorin e këtij viti kanë zgjidhur 15 raste me 63 persona.
“Po ashtu, në vitin 2024 ishin të shënjestruara 97 raste, që përbëjnë krimet më të rënda në Republikën e Kosovës, nga të cilat janë ngritur 85 aktakuza, ndërsa në nëntëmujorin e këtij viti janë zgjidhur 39 raste me aktgjykime të plotfuqishme”.
Lidhur me krimet e luftës, ai tha se pas kalimit të kompetencave të plota në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, tashmë janë bërë hapa konkretë dhe pozitivë, ku vetëm në vitin 2024, PSRK-ja ka zgjidhur 27 raste të tilla apo 90.91% rasteve të pranuara.
Gjithashtu gjatë vitit 2024, Prokurori i Shtetit ka trajtuar më shumë seriozitet edhe rastet e terrorizmit, ku janë zgjidhur 45 raste me 92 persona, ndërsa gjatë nëntëmujorit të këtij viti janë zgjidhur edhe 3 raste me 15 persona.
“Në këtë drejtim, dua t’u bëj thirrje publike të gjitha institucioneve ligjzbatuese që të veprojnë me përgjegjësi të lartë dhe përkushtim maksimal në trajtimin e çdo informacioni që mund të kontribuojë në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, si një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit dhe së drejtës ndërkombëtare. Asnjëherë nuk duhet neglizhuar faktin që grupet e caktuara radikale dhe ekstremiste mund të jenë burimi më i drejtpërdrejtë i terrorizmit”.
Kelmendi më tej tha se një sukses solid i Prokurorit të Shtetit ka arritur edhe në fushën e ngrirjes, sekuestrimit dhe konfiskimit, ku vlera e pasurisë së ngrirë dhe të sekuestruar gjatë vitit 2024 ishte 48,299,297.86 €, ndërsa vlera përfundimtare e konfiskimeve nga gjykata ishte 2,035,057.60 €.
‘Kur po flasim për sekuestrimin dhe konfiskimin, më duhet të them se ende kemi shumë punë për të bërë. Duhet të jetë shumë e qartë se mjetet me të cilat është kryer vepra penale dhe ato që janë përfituar me vepër penale duhet të konfiskohen, dhe, për t’u arritur ky qëllim, prokurorët duhet të jenë shumë më proaktivë dhe më të vendosur”.
Sa u përket rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore, Prokurori i Shtetit edhe gjatë vitit 2024 i ka trajtuar me prioritet këto raste, ku vetëm gjatë këtij viti janë zgjidhur 39 raste me 45 persona, ndërsa për nëntëmujorin e vitit 2025 janë zgjidhur 26 raste me 37 persona.
“Lidhur me rastet e dhunës në familje, në vitin 2024 Prokurori i Shtetit ka qenë shumë i mobilizuar dhe ka arritur që t’i zgjidhë 4,083 raste me 5,330 persona, ndërsa gjatë nëntëmujorit të këtij viti ka zgjidhur 2,091 raste me 2 471 persona.
Po ashtu, Prokurori i Shtetit u ka kushtuar rëndësi edhe procedurave alternative, ku gjatë vitit 2024 ka zgjidhur 2,952 raste me 4,344 persona. Ndërsa, me urdhër ndëshkimor janë zgjidhur 2,281 raste. Gjithashtu gjatë nëntëmujorit të këtij viti janë zgjidhur 2 671 raste me 4,331 persona në procedurat alternative, si dhe 1,335 raste me urdhër ndëshkimor”, tha ai.
Sipas tij, Barometri ligjor i vlerësimit të punës së Prokurorit të Shtetit, lidhur me efikasitetin dhe suksesin e Prokurorit të Shtetit, janë vendimet e gjykatave.
“Vendimet e gjykatave konfirmojnë se gjatë vitit 2024 janë marrë vendime për 15,568 persona, nga të cilat 13,117 janë vendime fajësuese, përkatësisht masa të trajtimit të detyrueshëm, ndërsa gjatë nëntëmujorit të këtij viti, gjykatat kanë vendosur për rastet me 10,575 persona, nga të cilat për 8,808 persona janë vendime fajësuese, përkatësisht masa të trajtimit të detyrueshëm.
Mirëpo, ne nuk duhet të jemi të vetëkënaqur me cilësinë, sepse ka edhe shumë punë për t’u bërë që të arrijmë suksese edhe më të mëdha në hartimin dhe përfaqësimin më të mirë të akteve akuzuese në gjykatë. Për këtë qëllim jemi duke bashkëpunuar me partnerët tanë ndërkombëtarë, ndërsa sot dua të falënderoj Qeverinë e Britanisë së Madhe për mbështetjen e dhënë në këtë drejtim” u shpreh Kelmendi.
Edhe Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, për vitin 2024 ka ofruar shërbime dhe ndihmë për viktimat e krimit, duke trajtuar gjithsej 2,849 raste. Gjatë nëntëmujorit të këtij viti, kjo zyrë ka ofruar shërbime dhe ndihmë për viktimat e krimit, duke trajtuar gjithsej 2,262 raste. /Telegrafi/


















































